Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mbajtur mbledhje përkujtimore me rastin e vdekjes së ish-gazetarit shumëvjeçar dhe ekspertit të ekonomisë, Ibrahim Rexhepi.
Bashkëpunëtorja e Rexhepit, Evliana Berani, u shpreh se i ndjeri ishte sublimim i njerëzve që u ndihmonte, duke shtuar se i tillë ka qenë gjithmonë dhe si i tillë do të kujtohet çdo herë.
Ajo shtoi se fokusi kryesor i Rexhepit ka qenë aspekti social i shoqërisë. Sipas saj Rexhepi vazhdimisht shprehte shqetësime për mundësinë e shuarjes së shtresës së mesme të shoqërisë, raporton EkonomiaOnline.
“Preokupimi i tij ka qenë harta sociale, asaj po i shtihen kategori të rrezikuara. Kjo ka qenë një nga fokuset që e kanë ndjekur Rexhepin. Me Ibren mësova aspektin praktik të rendit të ri demokratik, tregut të lirë. Mësova rrezikun e quajtur para dhe kur punët shkojnë keq e bëjnë politikën e biznesin bashkë. Ka rrezik që shtresa e mesme të shuhet, potenconte vazhdimisht Ibra.”
“Nga Ibra mësova se asnjë nga këto koncepte nuk kanë kuptim nëse në qendër nuk vihet njeriu. Në çdo analizë vinte në pah papunësinë, varfërinë. Vepra e tij është me e madhe se jeta e tij e shkurtër”.
Ajo tutje u shpreh se dija e Rexhepit do t’i mungojë skenës politike dhe ekonomike, mbi të gjitha asaj informative.
Kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, Agron Bajrami, njëherit bashkëpunëtor i të ndjerit, tha se Rexhepi këto 42 vite si gazetar ishte i veçante, edhe si redaktor e kolumnist.
“Gjatë viteve që kemi punuar bashkë imponohej me profesionalizmin dhe qetësinë e tij. Dhjetëra gazetarë dhe redaktorë kanë marrë mësime nga ai. Edhe ai kishte bindjet e veta, por ishte nder të paktit gazetar qe nuk i ngatërroi bindjet personale me punën profesionale. Është mjeshtri i gazetarisë së ekonomisë së Kosovës”.
Bajrami ka thënë se një çmim për gazetari ekonomike me emrin e Ibrahim Rexhepit është më e pakta që komuniteti i gazetarëve mund të bëjë për të respektuar punën e tij.
Aleksandër Çipa, kryetar i asociacionit të gazetarëve të Shqipërisë, vlerësoi se Rexhepi në memorien e gazetarëve shqiptar do të mbes një nga profilet më të ndritura të gazetarisë ekonomike, raporton EO.
“E kam lexuar tri dekada. Në këtë periudhë Ibra do të mbahet mend për Uniononin e Gazetarëve Shqiptar, i cili udhëhoqi një juri për gazetarët e ekonomisë në hapësirën shqiptare. Ibra edhe ne momentet e fundit të jetës, përcillte shqetësimin për nevojën e një tregu ekonomik të përbashkët. Ibra për herë të parë është elaboruesi e mendimit socio-ekonomik në gazetarinë shqiptare”.
Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli – Pustina, u shpreh se Rexhepin nuk ka kush ta zëvendësoj sepse sipas saj ai ka qenë i veçantë dhe i papërsëritshëm.
“Kam pasur rastin të punoj me të, ka ditur të jap respekt sa i vogël apo i madh je, sa i rëndësishëm apo i parëndësishëm je. Vetëm dikush si ai di të na nderojë. Me pak fjalë e shumë punë për ne gazetarët e rinj. Humbëm një koleg dhe një mik të papërsëritshëm. Të lumtë ju familja Rexhepi që e patët”.
Skender Rexhepi, vëllai i të ndjerit Ibrahim Rexhepi, në emër te familjes ka falënderuar AGK-në për organizimin e mbledhjes përkujtimore, derisa tha se fjalët e mira për të, e bëjnë krenar familjen dhe ua lehtësojnë dhimbjen.
Ai u shpreh se vëllai i tij ka qenë njeri i madh dhe njohës i mirë gazetarisë së ekonomisë.
“Ju humbët një koleg të veçantë, një njëri që i dha shumë gazetarisë së Kosovës. Rrugën e letrave baci Brah e filloi shumë më herët. Si nxënës në fshatin Slivovë mbajti orë letrare. Kishte një klub që e themeloi dhe atëherë filloi të merrej me shkrime. Dhimbjen që kemi na keni lehtësuar shumë dhe dje e kemi parë se Ibrahimi ishte një njeri shumë i madh”.
Varrimi i Ibrahim Rexhepit do të bëhet sot në Slivovë të Ferizajt në ora 15:30.