Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar se aktakuza e Prokurorisë Themelore e Prishtinës e ngritur me datë 14.10.2013 ndaj Enver Sopjanit i cili e kishte kërcënuar gazetarin, Vehbi Kajtazi, ka arritur afatin e parashkrimit.
Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës të marrë më datë 28.02.3018, bëhet e ditur se ndjekja penale ndaj të pandehurit Enver Sopjanit, ka arritur parashkrimin absolut dhe si e tillë aktakuza e Prokurorisë Themelore të Prishtinës është hedhur poshtë si e vjetërsuar nga ana e gjykatës.
Në arsyetimin e këtij vendimi, gjyqtari i kësaj çështje gjyqësore, Agim Kuçi, ka bërë të ditur se kjo lëndë e ka arritur parashkrimin absolut të ndjekjes penale më datë 06.12.2017.
“Gjyqtari i vetëm gjykues pas pranimit të përgjigjes lidhur me kërkesën e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës nga ana e Prokurorisë së Shtetit dhe pas shqyrtimit dhe vlerësimit të shkresave të saj, pas rikualifikimit të veprës penale nga ana e Prokurorisë konstatoj se në rastin konkret ka arritur afati kohorë i parashkrimit absolut i ndjekjes penale”, thuhet ndër të tjera në aktvendimin e gjykatës.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës konsideron se një praktikë e tillë nga ana e pushtetit gjyqësor, duke i lënë rastet e gazetarëve me vite të tëra në sirtarët e tyre, përveç që është në kundërshtim më parimet juridike për një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme, mos zgjidhja e këtyre lëndëve ndikon drejtpërsëdrejti edhe në sigurinë dhe jetën e gazetarëve.
AGK i bënë thirrje institucioneve të drejtësisë, në këtë rast Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore të Prishtinës, që rastet ndaj gazetarëve të trajtohen me prioritet dhe seriozitet maksimal dhe kryerësit e veprave penale ndaj gazetarëve të marrin dënimin e merituar.