Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) thotë se me shqetësim ka pranuar lajmin se është arrestuar gazetari i Klan Kosova, Dibran Istrefi, gjatë kryerjes së detyrës së tij.
“Nga informatat e para që i kemi nga terreni mësojmë se gazetari është arrestuar përkundër mbajtjes së akreditimit në vend të dukshëm”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
Gjithashtu, nga burime të tjera dhe të pakonfirmuara, AGK thotë se është informuar se gazetari tashmë është liruar.
Ky asociacion i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve përkatëse që ta lirojnë sa më shpejt gazetarin Istrefi, nëse ai nuk është liruar deri më tash, dhe gjithashtu e fton policinë që të ketë kujdes të veçantë në trajtimin e gazetarëve.
“Ndalja e gazetarëve në çfarëdo forme paraqet trysni ndaj punës së tyre dhe ndaj lirisë së shprehjes, por është edhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me aktet më të larta juridike të vendit tonë si dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.