Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pasi Komisioni parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media dje ka marrë iniciativë për hartimin e draft-ligjit për mediet në Kosove.
Asociacioni i Gazetarëve, si palë e interesit të veçantë në këtë fushë, thotë se nuk është njoftuar fare nga komisioni i Kuvendit në lidhje me këtë nismë ligjore si dhe nuk është në dijeni për qëllimin që bartë në vetvete hartimi i një drafti i cili do të normonte fushën e medieve në Kosovë.
“Prandaj, mospërfshirjen në konsultime që në fazën fillestare e aktorëve relevantë, të cilët merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve si dhe, trupave të tjerë vetërregullues që e mbulojnë fushën e medieve në Kosovë konsiderojmë se është një tendencë politike për ta kontrolluar, kufizuar dhe cenuar lirinë e shprehjes”, thuhet në një reagim të kësaj organizate.
AGK në parim kundërshton çfarëdo nisme legjislative nga cilido institucion i cili më parë nuk konsultohet me palët e interesit si dhe nuk i bënë të ditura arsyetimet e qëllimit për hartimin e një ligji, në këtë rast Ligjit për Mediet në Kosovë.
“Kosova ka një gamë të gjerë të ligjeve pozitive të cilat në mënyrë të qartë dhe të drejtë rregullojnë shumë fusha të cilat ndërlidhen drejtpërsëdrejti më lirinë e shprehjes, mirëpo ajo që mungon në vazhdimësi është vullneti politik dhe institucional për t’i zbatuar në praktikë këto ligje”.
Andaj, AGK inkurajon të gjitha institucionet e vendit që para se të fillojnë çfarëdo iniciative për hartimin e ligjeve të reja, të angazhohen maksimalisht në zbatimin e ligjeve aktuale sepse zbatimi i tyre pashmangshëm ndikon një krijimin e një mjedisi të sigurt për gazetarët dhe rritjen e profesionalizmit te mediet.