Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një komunikate për medie thotë se kundërshton fushatën linçuese të subjektit politik Vetëvendosje ndaj drejtorit të transmetuesit publik, Mentor Shala dhe kryeredaktorit Ridvan Berisha.
“Fatkeqësisht ky subjekt opozitar që synon të vije në pushtet, prej muajsh linçon publikisht drejtuesit e RTK-së. Ne kemi pritur që Vetëvendosje të reflektonte pas disa gabimeve që ka bërë muajt e fundit duke akuzuar, linçuar dhe kërcënuar gazetarë. Kjo sjellje më se paku i ka hije një subjekti politik që mëton të promovojë Lirinë e Shprehjes dhe Mediave në Kosovë”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK kërkon nga Vetëvendosja që të ndalë këtë formë të linçimit dhe akuzave ndaj drejtuesve të RTK-së duke inkurajuar këtë subjekt politik që t’iu drejtohet organeve kompetente nëse pretendon se ka fakte për atë që thotë.
Poashtu AGK inkurajon edhe dy kolegët Shala e Berisha që të fillojnë ndjekjen e rrugëve ligjore në lidhje me këtë rast.