Në edicionin 2017 të Illinois Independent Film Festival që ka përfunduar mbrëmë në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, filmi kosovar “Agnus Dei” me skenar e regji të Agim Sopit, ka fituar Çmimin e regjisorit më të mirë /Best Director/.
“Agnus Dei” shfaq dramën e një lloj Edipi të ditëve tona. Drama tronditëse shtjellon fatin e Petrit, një të riu rreth të tridhjetave, i cili bënë një jetë të dëshpruarish me të ëmën Maria dhe burrin e saj Stojanin në një fshat në Serbi. Petri ka lindur në Kosovë nga një ‘dashuri e ndaluar’ mes nënës së tij Mari dhe babait shqiptar Dinit, shkruan koha.net.
Është koha kur marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve janë armiqësore, pikërisht në prag të luftës. Petri cytet nga e ëma dhe rrethi që të shkoj në luftën e Kosovës. Ai do të ikën nga lufta për në perëndim, por mobilizohet dhunshëm dhe rekrutohet në një njësit ushtarak në luftën e Kosovës.
Në një aksion të përgatitur në shenjë hakmarrjeje, Petri vret babanë e vet, Dinin, të cilin nuk kishte arritur asnjëherë ta njoh. Duke mos mundur të duroj krimet arbitrare në njësitin e tij, Petri dezerton nga ushtria. Ai merr me vete të bijën e Dinit, Marien dhe ikën.
Gjatë një rrugëtimi të vështirë, kur ata ndiqen nga palët e armiqësuara, Petri dhe Maria bien në dashuri. Ata arrijnë të kthehen në shtëpinë e Petrit. Gjatë raporteve të tensionuara me të ëmën, Petri mëson se ka vrarë babanë e vet biologjik dhe se është dashuruar në motrën e vet.
Duke mos mundur ta përballoj dramën e papritur, ai ia merr vetes jetën.
Filmi “Agnus Dei”, i cili deri më tani i ka sjellë Kosovës 86 çmime kinematografike, ditëve në vijim do të shfaqet edhe në disa festivale ndërkombëtare në SHBA, Kanada, Meksikë e Evropë.
“Agnus Dei”, gjatë muajit gusht, do të ketë nderin të hap Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Pekin të Kinës, festival që cilësohet si më i rëndësishmi në shtetin me numrin më të madh të popullsisë në botë.