Agnus Dei – triumfon në San Antonio të Ekuadorit

Prishtinë | 09 Pri 2018 | 12:06 | Nga

Në festivalin San Antonio Independent Film Festival i cili ka përfunduar në San Antonio de Ibarra të Ecuador-it, filmi kosovar AGNUS DEI me skenar dhe regji të Agim Sopit, ka fituar çmimin e Filmit më të mirë /Best Feature Film/, transmeton Koha.net.

Më shumë se 700 tituj filmash nga 77 vende të botës kanë defiluar në nëntë kategori të ndryshme në eventin e shtetit jugamerikan, duke ‘krijuar një pasqyrë të mprehtë të rrjedhave botërore kinematografike’ thuhet në një kumtesë të festivalit. Filmi kosovar, është cilësuar si një ‘realitet onirik i botës së errët në të cilën po zhytet civilizimi ynë padiktueshëm, një jehonë e ndërgjegjies së thellë të targjedisë së individit që merr dimensione nga të dyja anët e frontit për të krijuar një vepër të fuqishme unikale, një dorëshkrim autorial tepër të rrall dhe shumë poetik’ (nga arsyetimi i jurisë profesionale).

Filmi Agnus Dei, zë fill në tragjedinë e antikitetit mbi fatin e Edipit, fëmiut të braktisur nga babai i cili duke ikur nga tragjedia e parashikuar, kthehet pikërisht në shtëpinë e babait biologjik për ta vrarë ate. Edipi, i penduar i nxjerr vetes sytë, për të mos e parë më dirtën e diellit, duke rezymuar jetën e vet tragjike në formë amaneti: ‘O dritë e diellit, qoftë hera e fundit që po të shoh, sepse unë linda nga ata që s’duhej, rrojta bashkë me ata që s’duhej dhe vrava ate që s’duhej’.

Në realitetin e sotëm, tragjedia e djaloshit që kthehet për të vrarë baban e vet biologjik, është reale, e shkruar mbështetur në ngjarjen e vërtetë që zë fill në luftën e Kosovës. Petri, një djalosh rreth të tridhjetave, bënë një jetë të dëshpruarish me të ëmen Maria dhe burrin e saj Stojanin në një fshat në Serbi. Petri, ka lindur në Kosovë nga një ‘dashuri e ndaluar’ mes nënes së tij Mari dhe babait shqiptar Dinit.

Petri, cytet nga e ëma dhe rrethi në Serbi, që të shkoj në luftën e Kosovës. Ai do të ikën nga lufta për në perendim, por mobilizohet dhunshëm dhe regrutohet në një njësit ushtarak në luftën e Kosovës. Në një akcion të përgaditur në shenjë hakmarrjeje, Petri vret baban e vet Dinin, të cilin nuk kishte arritur ta njoh kurrë.

Duke mos mundur të justifikoj krimet arbitrare në njësitin e tij, Petri dezerton nga ushtria serbe. Ai merr me vete të bijen e Dinit, Marien dhe ikën. Gjatë një rrugëtimi të vështirë, kur ata ndiqen nga palët e armiqsuara, Petri dhe Maria bien në dashuri.

Ata arrijnë të kthehen në shtëpinë e Petrit. Gjatë raporteve të tensionuara me të ëmen, Petri mëson të vërteten e tmerrshme, se ai ka vrarë babanë e vet biologjik dhe se është dashuruar në motrën e vet. Duke mos mundur ta përballoj dramën e papritur, Petri ia merr vetes jetën.

Është ky çmimi i 101-të ndërkombëtar /duke mos llogaritur edhe shtatë çmime special dhe 72 nominime/ për filmin AGNUS DEI, i cili ka përfaqësuar Kosovën në mbi 200 festivale ndërkombëtare në të katër anët e botës. Agnus Dei, ka fituar çmime kryesore edhe në evente të rëndësishme kinematografike të shteteve më të mëdha të botës të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, si Kina, India, Malejzia, Nigeria, Afrika e Jugut, Iraku, Greqia, Spanja, Argjentina, Brazili, Meksiko, Uruguaji, Kolumbia, Venecuela, etj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme