Agron Kuçi i AAK-së denoncon kërcënimet me jetë pas denoncimit të keqpërdorimeve zgjedhore në Junik

Prishtinë | 18 Tet 2025 | 20:43 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryetar të Junikut nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Agron Kuçi, ka deklaruar se është përballur me kërcënime me jetë pas denoncimeve publike për, siç thotë ai, skandale dhe keqpërdorime zgjedhore në këtë komunë.

Kuçi përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se pas publikimit të fakteve dhe dëshmive për manipulime me listat e votuesve dhe ndërrime të vendbanimeve, është bërë objekt i tentativave për frikësim dhe shantazh.

“Pas denoncimit publik të skandaleve dhe keqpërdorimeve zgjedhore të ndodhura në komunën tonë, të kryera nga individë e grupe që nuk ia duan të mirën Junikut, sot jam përballur me një tjetër akt të ulët – kërcënime me jetë dhe tentativa për frikësim e shantazh,” ka thënë Kuçi.

Ai ka theksuar se njëri prej personave që e ka kërcënuar, sipas tij, është një militant i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe zyrtar komunal. Kuçi thotë se rasti tashmë është paraqitur në organet kompetente.

Të ngjashme