Duke marrë shembullin e revolucionit në veri të Sirisë, të shtunën ka nisur paneli i diskutimit që si temë kishte “Ndërtimi i shoqërive progresive: Gratë në revolucionin e Rojavas”.
Fillimisht moderatorja Svetlana Rakoçeviq ka marrë shembull revolucionin që deri tash nuk ka dhënë ndonjë rezultat tek populli kurd. Ajo ka shpjeguar sesi kurdët nuk ia kanë dalë qysh prej viteve ’70 të arrijnë pikësynimin e tyre, shtetin e pavarur, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Një vend nuk mund të jetë i lirë pa gruan e lirë”, ka thënë ajo. Sipas Rakoçeviq, të paktën në përbërje prej 40 për qind gratë duhet të jenë pjesë e institucioneve të një vendi.
Debati ka vazhduar me pikëpamjet e shkrimtares katalunase Laura Huerga. Katalonasit nuk ia kanë dalë që të pavarësohen nga Spanja nëpërmjet referendumit që ishte mbajtur para disa muajsh. Huerga ka thënë se ka edhe slogane se Katalonja duhet të jetë një republikë feministe.
“Ne po na quajnë gati terroristë”, ka thënë ajo.
Shkrimtari shqiptar, Agron Tufa më shumë është ndalur tek modelet e kombeve. Ka thënë se ekziston një komb qytetar siç e ka Franca, ku të gjithë janë bashkuar për të jetuar nën një ombrellë dhe ai gjerman ku nacionalizmi është në nivel më të lartë.
“Tek shqiptarët gjuha është element ndër më kryesorët. Nëse bie ky element atëherë struktura bie. Unë mendoj se ku u bë shteti me ligjet e veta, gratë shpëtuan nga tradita apo edhe feja”, ka thënë ai.
E anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, ka thënë se para luftës në Kosovë, aktivistet e shoqërisë civile besonin se me lirinë do të vinte edhe barazia midis gjinive. Sipas saj, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe duhet të punohet shumë në këtë drejtim. Sa i përket nacionalizmit, ka thënë se jo gjithmonë ai është i dëmshëm për një shoqëri.
E shkrimtari shqiptar, Bashkim Shehu i cili jeton në Barcelonë, ka thënë se identiteti katalonjas zë vend fillimisht tek gjuha e pastaj shtrihet në rrafshe të tjera kulturore.