Agron Xhafaj vetëdorëzohet tek autoritetet italiane

Prishtinë | 16 Maj 2018 | 11:07 | Nga

Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, mësohet se është nisur drejt Italisë për t’iu vetëdorëzuar autoriteteve italiane.

Xhafaj këtë mëngjes është vetëdorëzuar në aeroportin e Fiumicions në Romë.

Vetë Xhafaj ka postuar një letër drejtuar opinionit publik, ku shpreh arsyet e veprimit të tij.

LETRA E PLOTE:

Drejtuar opinionit publik

Unë jam Agron Xhafaj.

Për shkak të gjithë akuzave që janë ngritur ndaj meje gjatë ditëve të fundit, por edhe si vëllai i Fatmir Xhafaj, sot Ministër i Brendshëm, ndihem i detyruar të bëj publike sa vijon:

Kam vendosur që t’i drejtohem vetë autoriteteve italiane të drejtësisë për të ekzekutuar një vendim dënimi penal të tyre kundrejt meje.

Kam vendosur ta bëj këtë duke u paraqitur sot në Itali tek autoritetet përkatëse.

Edhe pse nuk ka patur asnjëherë (nuk ka akoma edhe sot) asnjë kërkesë dhe asnjë interes nga organet e drejtësisë italiane për të ekzektuar këtë vendim, edhe pse unë asnjëherë nuk kam qënë në kërkim për ekzekutimin e këtij vendimi, unë po e kryejë këtë akt.

Unë kam gabuar në rininë time. Si jo pak të tjerë. Aspak dhe për asnjë arsye nuk e justifikoj dhe nuk e përligj atë gabim. Edhe pse cilido që ka patur mundësinë të shohë atë dosje penale dhe ka parë rrethanat e kryerjes së asaj vepre penale, e kupton shumë mirë shkallën e përfshirjes dhë rolin tim në atë histori.

Ka edhe një TË VËRTETË të madhe që dua ta bëj publike përkundrejt shpifjeve që janë bërë vazhdimisht për këtë cështje.

Unë jo vetëm që NUK I JAM SHMANGUR HETIMIT dhe GJYKIMIT tim në këtë çështje, por përkundrazi, kam bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të qënë prezent në Itali gjatë hetimit dhe më pas gjatë gjykimit tim. Janë të plota dhe të dokumentuara të gjitha përpjekjet e mia në këtë drejtim.

Ishin vetë autoritetet italiane që më liruan pas një muaji ndalimi dhe urdhëruan largimin tim nga Italia. Për rreth një dekadë kam bërë disa kërkesa për tu pajisur me vizë pikërisht për të ndjekur pranë drejtësisë italiane çështjen time. Në të gjitha rastet kjo kërkesë më është refuzuar.

Sot jam 43 vjec dhe prej vitit 2002 e deri më sot NUK KA ASNJË sjellje, apo vepër time që të ketë qënë në kundërshtim me ligjin dhe me moralin. Kam bërë të gjitha përpjekjet dhe jam krenar që sot e prej shumë kohësh ia kam dalë që të kem një jetë normale si gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi. Prej shumë kohësh energjitë dhe vëmendja ime i janë kushtuar tërësisht familjes time.

I detyrohem shumë bashkëshortes time që më ka ndihmuar dhe mbështetur që të dy fëmijët tanë, djali dhe vajza, edhe pse akoma të vegjël, të shohin tek ne dy prinder të përkushtuar, që përkujdesen me ndershmëri në mënyrën më të mirë të mundshme për ta.

Për hatër të tyre, për shkak të dashurisë për ta, për shkak të dëshirës time për të qënë pranë tyre dhe për të gëzuar çdo ditë me ta dhe për ta, (besoj e kuptueshme kjo për cilindo prind), kam gjithë këto vite që mbaj përbrenda meje këtë barrë. Edhe pse e dija shumë mirë që duhej të paguaja për çfarë kisha gabuar në rininë time. Pavarësisht se ajo që më kërkon drejtësia të shpaguaj, është shumë më shumë se gabimi që kam kryer.

Sot, si rrjedhojë e këtij presioni politik dhe publik kundrejt familjes time, në pamundësinë për t’i ofruar fëmijëve një jetesë të qetë e pa stresin e përditshëm të shpifjeve e shantazhit, por edhe në bindjen time se ky është vendimi i duhur, marr guximin të kryejë vet këtë hap të rëndësishëm dhe të përballem në rrugë ligjore me egzekutimin e vendimit.

Njëkohësisht, pranë Prokurorisë, kam deklaruar e dhënë shpjegime konform ligjit, se audio e publikuar, përfshirë efektet zanore si dhe imazhet e sajuara janë false, dhe janë bërë publike në media me qëllim shantazhin dhe presionin ndaj meje e vëllait tim, Ministër i Brendshëm. Ditën e djeshme, datë 15 Maj 2018, kam kryer të gjitha procedurat e nevojshme, të parashikuara nga ligji, përfshirë depozitmin e zërit tim pranë Prokurorisë së Tiranës dhe në prani të ekspertit të fushës, duke ofruar në këtë mënyrë të gjithë bashkëpunimin e mundur në funksion të zbardhjes së të vërtetës. Shpresoj që prokuroria dhe gjykata t’i shkojnë deri në fund hetimit penal dhe civil ndaj montazhit te paskrupullt ndaj meje e familjes time.

Agron Xhafaj

Tiranë më 16 Maj 2018

Të ngjashme