Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Ahmet Isufi, ka deklaruar se nuk ka marrëveshje mes partive për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin.
I kontaktuar nga Insajderi, pas deklaratës së zëvendëskryeministër Behgjet Pacolli se kryeministri Ramush Haradinaj ka pranuar kushtin e LDK-së, Ahmet Isufi tha se nuk ka ndonjë marrëveshje për këtë çështje.
“Zoti Behgjet Pacolli ka folur për veti por nuk ka ndonjë marrëveshje. Unë nuk e ka di a ka pasur ndonjë takim me zyrtarë të LDK-së, por zyrtarisht nuk ka asnjë marrëveshje”, tha ai.
Pas zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, edhe kryetari i Kuvendit,Kadri Veseli ka njoftuar se është arritur konsensusi mes palëve për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin.
“Dëshiroj të falënderoj Kryeministrin Haradinaj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministrin Pacolli për gatishmërinë për konsensus dhe për dialogun shumë konstruktiv”, ka shkruar Veseli.