Autoritetet e Kosovës kishin premtuar se deri në 2020-n do ta integronin shtetin në Bashkimin Evropian, por tash është paralajmëruar se deri në këtë kohë as nuk do të aplikohet për anëtarësim.
Kjo, pavarësisht se në planet e Qeverisë aplikimi figuron si aktivitet i sivjetmë.
Mimoza Ahmetaj, ministre e Integrimit Evropian, ka thënë për “Kohën Ditore” se aplikimi bëhet tek pas zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).
MSA-ja nuk pritet të zbatohet shpejt. Javën e shkuar Qeveria e ka miratuar Programin kombëtar për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, dokument ky që përmban prioritete afatshkurtra që parashihet të përmbushen brenda një viti dhe prioritete afatgjata, për realizimin e të cilave kërkohet një periudhë deri në pesë vjet. (Koha Ditore)