Ahmetaj: Liberalizimi mbetet në vullnetin e deputetëve

Prishtinë | 21 Shk 2017 | 08:15 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e sapozgjedhur e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, edhe njëherë u ka bërë me dije deputetëve të kuvendit për rëndësinë që ka ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Ajo në një intervistë për Ekonomia Online është shprehur e bindur se deputetët e kuvendit të Kosovës janë mjaftueshëm të njoftuar për rëndësinë që ka ratifikimi i demarkacionit.

Ndërsa bëri të qartë se pa ratifikimin e kësaj marrëveshjeje qytetarët e Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë lirshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Ministrja e Integrimit ka thënë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë një nga prioritetet gjatë mandatit të saj në këtë ministri.

Ahmetaj tha se do të vazhdojë politikën e ministrave paraprak, ngase sipas saj, është në përputhje me programin qeverisës të koalicionit aktual.

INTERVISTA E PLOTË:

EO: Ditë më parë jeni emëruar në krye të ministrisë së Integrimit. A mund të na tregoni se cilat do të jenë tri prioritetet tuaja që synoni t’i realizoni deri në fund të mandatit?

Ahmetaj: Prioritetet e mija si ministre e Integrimit Evropian nuk do të dallojnë nga prioritetet e Partisë Demokratike të Kosovës dhe prioritetet e qeverisë dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Në radhë të parë mbetet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, reformat në të gjitha institucionet e vendit që do ta përgatisim shtetin për një anëtarësim sa më të shpejt në Bashkimin Evropian.

EO: Tashmë të gjithë aktorët e kanë bërë të qartë se pa ratifikim të demarkacionit me Malin e Zi nuk do të ketë liberalizim. Si e shihni ju këtë çështje?

Ahmetaj: Do të mbetet dhe është në vullnetin e deputetëve të kuvendit të Kosovës. Unë mendoj që ata janë mjaftueshëm të njoftuar për rëndësinë që ka demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, dhe sa më shpejt që demarkacioni të votohet në parlament ne do të procedojmë më tutje. Patëm edhe rastin e ta dëgjojmë edhe një herë reporteren për Kosovën për liberalizimin e vizave nga parlamenti evropian zonjën Fajon e cila edhe një herë e solli mesazhin e rëndësisë së këtij procesi dhe votimit në kuvend me qëllim që ta avancojmë edhe më tutje.

EO: Është përmendur edhe lufta kundër korrupsioni dhe krimit të organizuar a do të ketë liberalizim edhe pa këtë luftë?

Ahmeti: Lufta kundër krimit dhe korrupsionit është një reformë, një domosdoshmëri nga e cila do të përfitojnë qytetarët e Kosovës jo vetëm për liberalizimin e vizave, por në përgjithësi për një mbarëvajtje dhe për një shtet të themi të qëndrueshëm stabil, ekonomikisht dhe politikisht. Kosova është në fazën e dytë të IPA fondeve dhe kemi filluar në dizajnimin e projekteve për këtë vit të cilët janë në proces të implementimit, mbetet të shihet.

EO: Si ministre e integrimeve, a keni një mesazh për deputetët e kuvendit për ditën kur do të vjen demarkacioni në kuvend?

Ahmetaj: Deputetët e kuvendit janë më moti në pozitat e tyre se sa që jam unë ministre e integrimeve. Mendoj që ata janë mjaft të vetëdijshëm për rëndësinë që ka ky proces për Kosovën.

Të ngjashme