Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në nder të 20-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, së bashku me organizatat e Veteranëve, Invalidëve dhe Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, si dhe tek shtatorja e dëshmorit të kombit, Zahir Pajaziti.
Ahmeti tha se puna që bëjnë është shumë pak në krahasim me veprën dhe sakrificën e dëshmorëve, raporton Ekonomia Online.
“Kemi nderin që sot të përkujtojmë dëshmorët e Prishtinës dhe të gjithë dëshmorët që kanë rënë për liri në 20 vjetorin e Epopesë së UÇK-së. Këto përvjetorët jubilare zakonisht që janë na bëjnë të mendojmë edhe më shumë për të gjithë ata që po i nderojmë dhe po respektojmë sot”.
“Sot jemi edhe me shoqatat e dala nga lufta gjithmonë duke mos harruar asnjëherë veprën dhe sakrificën që e kanë dhënë dëshmorët ne sot bëjmë minimumin tonë sa herë që dikush mendon se po punon shumë ose po sakrifikon shumë vetëm duhet të mendojë ata të cilët dhanë jetën dhe ta kuptojnë që ne kemi tash si obligim së paku këtë që po e bëjmë në jetësimin e idealit dhe betimit që e ka dhënë çdo ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Ahmeti.
Kryetari i Prishtinës gjithashtu ka bërë të ditur se janë të gatshëm të marrin përgjegjësin për mirëmbajtjen e varrezave të dëshmorëve, duke shtuar se kjo është minimum që institucionet mund të bëjnë.
“Kam kërkuar nga ministria që përgjegjësia të na kaloj neve sepse tash u bë një kohë. Ne jemi të gatshëm ta marrim këtë përgjegjësi, është minimumi qe e meritojnë”, shtoi Ahmeti.