Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është deklaruar lidhur me debatin e zëshëm që po bëhet lidhur me vendosjen e flamurit shtetëror të Kosovës tek ‘Rrethi i Flamurit’ në Prishtinë.
Ahmeti ka thënë se nuk po e di nëse me apo pa qëllim ky debat po i drejtohet Komunës së Prishtinës, pasi sipas tij vendosja e simboleve shtetërore rregullohet me Ligjin 03/L-038 për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës dhe ligjin 03/L-031, për protokollin e shtetit.
Ky është postimi i plotë:
Po e shoh një debat të gjatë në lidhje me flamurin shtetëror të Kosovës i cili me apo me pa qëllim po drejtohet te Komuna me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
E para, une jam kryetar i Prishtinës, kryeqytet i Republikës së Kosovës, me kushtetutë e ligje në fuqi, të cilat i zbatojmë dhe i respektojmë.
E dyta, vendosja e simboleve shtetërore rregullohet me Ligjin 03/L-038 për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës dhe Ligjin 03/L-032 për protokollin e shtetit.
Aty është shumë e qartë.
Neni 3 pika 4.
“Protokolli i Shtetit kryen këto funksione:
1.4. përgjigjet për organizimin e ceremonive për festat zyrtare, memorialë, shtetërorë dhe lokale,
në rastet kur ato janë jubilare dhe kur për organizimin e të cilave formohet me vendim të Qeverisë të Republikës së Kosovës një komision shtetëror. “
Neni 15 paragrafi 2
“Në mjediset e jashtme flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës qëndron i ngritur mbi ose pranë selive të institucioneve qendrore dhe lokale qeveritare, në pikat kufitare si dhe përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, njëzetekatër (24) orë dhe i ndriçuar drejtpërdrejtë gjatë natës. Në rastet e festave zyrtare dhe memoriale flamuri ngritët edhe në vende të tjera me autorizimin e Kryeministrit, për evenimente shtetërorë ose të kryetarit të Komunës, për evenimente lokale. “
Besoj se dihet që 10-vjetori është eveniment shtetëror.