Organizata joqeveritare “ETEA” në bashkëpunim me Qendrën Sociale “Termokiss” për nder të Ditës Ndërkombëtare të Librit organizuan “Festivalin e Librit 2017”.
Agron Ahmeti nga organizata “ETEA” ka thënë se qëllimi i këtij festivali ishte që të bëhet tradicional, andaj ky ishte viti i tretë që kanë organizuar.
Sa i përket mbështetjes financiare nga institucionet, ai ka thënë para kamerës së Ekonomia Online se nuk janë dhënë para madje as për zërimin.
“Gjithçka që shihni është në baza vullnetare dhe me vetëfinancim”, ka theksuar ai.
Ai ka treguar edhe për ecurinë e organizimit të festivalit dhe mbajtjen e aktiviteteve.
Festivali i Librit 2017 që organizohet për të tretin vit radhazi synon edukimin publik nëpërmjet avokimit, përkatësisht ndërgjegjësimin social rreth rëndësisë së librave dhe leximit të tyre.
Programi do të përmbajë aktivitetet si në vijim: Shfaqjen “Play Reading” (Lexim Skenik) të librit “Fahrenheit 451” me regji nga Ardi Mejzini, skenografia nga Florent Kurtalani, ndërsa luajnë aktorët: Daniela Markaj, Besart Zeneli, Rajmonda Ahmetaj, Armend Zeqiri, Kaltrinë Zeneli, Arta Lahu dhe Armend Ballazhi, “Sjell një libër – merr një tjetër”, Panel diskutimi (sesione pyetje përgjigje me audiencën) për gjendjen e librit në Kosovë dhe kulturën e të lexuarit tek të rinjtë, “Slam Poetry” – Mikrofon i hapur për shkrime të pabotuara, Shpallja e lexuesve të vitit “Bibliobibuli 2016/17” në bashkëpunim me Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” si dhe Ekspozitë me piktura për librin, si dhe pikturim përgjatë programit nga Labentinë Shala si dhe krejt për fund disa pika muzikore nga instrumentistë të rinj në piano, çelo, violinë, kitarë, etj.
Partnerë të projektit janë: Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, Prishtina Hackerspace, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Instituti Albanologjik, Këndi Amerikan si dhe Libri Shkollor.