Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sot para pjesëmarrësve në Epopenë e Gllogjanit ka thënë se epopeja e marsit është një nga ditët më të shënuara në histori.
Ai tha se shqiptarët duhet të jenë përjetë mirënjohës ndaj Amerikës dhe NATO-s.
“Epopeja e marsit do të mbetet nga ditët më të shënuara në histori, sepse të gjithë këta të rënë deshën të jenë në krah të komandantit legjendar Adem Jashari për të lehtësuar dhimbjen dhe për të dhënë lajmin se Kosova u çlirua nga gjaku dhe ndihma nga aleati. Prandaj mirënjohës në jetë të jetëve, shqiptarët duhet të jenë ndaj Amerikës, NATO-s, sepse ne si komb ndodhemi në një rajon i cili duhet të ketë miqësi të fortë dhe kjo miqësi është bërë në momentin më të duhur që shqiptarëve iu është dashtë”.
Ali Ahmeti ka thënë se Kosova duhet të jetë e kujdesshme dhe të mos lejojë ftohje as neglizhencë ndaj aleatëve tanë strategjikë e historikë të kombit. “Sepse Kosova akoma ka nevojë që të marrë përfundimisht fizionominë e një shteti të pranuar ndërkombëtarisht. Dhe ky duhet të jetë misioni ynë dhe pikërisht këtu”.
“Ideal i të gjithë të rënëve për liri ka qenë që të mos ketë kufi e gjemba mes shqiptarëve dhe kjo po na troket në derë të gjithë bashkarisht t’i forcojmë radhët dhe me bindje, të integrohet Kosova në NATO ashtu siç janë edhe dy vendet fqinje dhe bashkarisht të integruar në BE”, tha ai.