Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka deklaruar sëfundmi se menjëherë pas referendumit, kryeparlamentari Xhaferi bashkë me ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, nënshkruhet dhe botohet në Gazetën Zyrtare edhe Ligji për gjuhët, ndërsa bojkoti, sipas tij, është mjet jodemokratik dhe është armë e atyre që nuk ia duan të mirën vendit.
“Ne nuk mund të lejojmë që në këto hapësira të luhet vallja e tjetërkujt. Vullneti ynë i fortë është që të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së.
Nuk kemi të ardhme jashtë BE-së. Duam të jemi pjesë e përparimit dhe zhvillimit, duam të jemi pjesë e Aleancës, qytetarët tanë t’i përgjigjen pozitivisht 30 shtatorit dhe të votojnë “PËR” marrëveshjen, të votojnë për NATO-n, të votojnë për BE-në, të votojnë për paqen, stabilitetin, sigurinë, ardhmërinë, sundimin e ligjit dhe shtetit ligjor.
Bojkoti është arma e të ligut, bojkoti nuk është kategori e demokracisë që ne e kemi instaluar në vend. Nga ne pritet që më 30 shtator t’i gëzohemi suksesit, të gjithë të dalim e të propagandojmë e të votojmë për Maqedoninë në NATO.
Pas referendumit nënshkruhet nga kryeparlamentari marrëveshja e arritur në Prespë dhe Ligji për gjuhët, që të dy botohen në Gazetën Zyrtare dhe hyjnë në fuqi”, Ahmeti këto deklarata i ka bërë gjatë një takim me qytetarët e Komunës Saraj, në kuadër të fushatë së Referendumit.