Ahmeti: Marrëdhëniet me SHBA-në mund të dobësohen nëse nuk hiqet taksa

Prishtinë | 08 Sht 2019 | 23:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se ndërkombëtarët janë duke bërë presion si për taksën 100% ndaj produkteve serbe, madje thotë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të dobësohen, shkruan Gazeta Metro.

Ahmeti ka thënë se gjatë një bisede telefonike me zëvendësndihmës zekretar i Shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Mathew Palmer ju është bërë e qartë se Amerika pret që të ketë përpjekje serioze për një marrëveshje të Kosovës me Serbinë.

Ai ka thënë se relacionet me SHBA’në beson se nuk mund të prishen, por ato mund të dobësohen, shkruan Gazeta Metro.

“Unë kam biseduar me Mathew Palmer kam pasur bisedë të gjatë telefonike një javë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj nga pozita e kryeministrit, pra përveç atyre bisedimeve që kanë qenë për mundësitë e një qeverie të re, nga ai diskutim është e qartë se Amerika pret që të ketë përpjekje serioze për marrëveshje, nuk mendoj se relacioniet mes SHBA’së dhe Kosovës prishen, megjithatë mund të dobësohen”, tha Ahmeti në Zona Zgjedhore me Baton Haxhiun, transmeton Gazeta Metro.

Ahmeti ka zbuluar se kur ka qenë në Shtëpinë e Bardhë në prill të këtij viti ka dëgjuar mesazhe të rrepta drejtuar lidershipit kosovarë lidhur me taksën dhe mos gatishmërisë për t’u ballafaquar me Serbinë.

“Unë në vizitën time kur kam qenë në prill në Washington, në Shtëpinë e Bardhë besoj që kanë qenë mesazhet më të rrepta që kam dëgjuar ndonjëherë që kanë të bëjnë jovetëm me situatën se aty kemi një taksë, por se nuk ka gatishmëri të lidershipit kosovarë për t’u ballafaquar me një temë kaq të madhe”, tha Ahmeti në Zona Zgjedhore në Klan Kosova.

Kujtojmë se Palmer pati zbuluar në një intervistë se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA’të tani janë dëmtuar pasi kjo e fundit nuk po dëgjon kërkesat e Shtëpisë së Bardhë dhe nuk po ka qëndrim të njëjtë.

Ndryshe SHBA ka anuluar të gjitha vizitat e zyrtarëve të saj në Kosovë tash e një kohë të gjatë, madje liderët e Kosovës nuk janë takuar qysh një kohë të gjatë me ndonjë përfaqësues të lartë të Shtëpisë së Bardhë.

Ahmet po ashtu ka vlerësuar se qeveria e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit do ta ketë detyrë kryesore procesin e dialogut me Serbinë.

Të ngjashme