Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, para asamblistëve komunalë ka thënë se për tokën e dhënë në shfrytëzim për ndërtimin e Ambasadës së Shqipërisë, nuk ka nevojë të pyetet Ministria e Pushtetin Lokal.
Ky reagim i Ahmetit ka ardhur menjëherë pas debatit të hapur nga Agim Gashi i LDK-së, i cili ka kërkuar që të merret edhe njëherë mendimi i Ministrisë se Pushtetit lokal, raporton Ekonomia Online.
Ai ka kërkuar që para se kjo pikë të kthehet në kuvend përsëri, siç ka thënë, të sqarohen paqartësitë rreth procedurave ligjore për dhënien në shfrytëzim të pronës për ambasadën. Ai po ashtu ka kërkuar që para votimit të ketë një interpretim nga zyra ligjore dhe MAPL-ja.
Mirëpo kryetari Ahmeti, ka thënë se gjithçka është e qartë dhe ligjore pasi paraprakisht para disa vitesh ky kuvend kishte marrë vendim për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për Ambasadën e Shqipërisë, vendim që ishte vlerësuar si i ligjshëm nga niveli qendror.
Andaj sipas tij, pasi në fuqi është ende i njëjti ligj nuk ka nevojë që të shtyhet.
Pro dhënies së tokës për ndërtimin e Ambasadës së Shqipërisë u shprehen edhe PDK-ja dhe AKR-ja.
Pas diskutimit u vendos që votimi të shtyhet për seancën e radhës.
Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me autoritet e Shqipërisë janë marr vesh që të ndahet një truall komunal për ndërtimin e Ambasadës në lagjen “Sofalia” të Prishtinës.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, më 31 maj 2016 thirri mbledhje të jashtëzakonshme për miratimin e dy pikave. Njëra kishin të bënin me dhënien e pëlqimit për ndërrimin e destinimit të parcelës në kuadër të Planit Rregullues “Lakrishtë” për ndërtimin e objektit të Ambasadës shqiptare.
Këtë e kishte kundërshtuar LDK-ja me arsyetimin se në një pjesë të atij vendi është paraparë ndërtim i selisë së LDK-së, raporton EO.
Tash, Komuna ka ndërruar lokacion dhe ka ndarë një truall në lagjend “Sofalia” me sipërfaqe prej 2000 m2 nga pjesa e parcelës nr. 2576-0 ZK Prishtinë, me pronësi të Kuvendit të Komunës së Prishtinës.
Megjithëkëtë, Plani aktual i kësaj lagje ku synon të ndërtohet Ambasada është zonë e gjelbër dhe përjashton ndërtimin.
Shfrytëzimi i pronës do të jetë për 99 vjet nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.