Kryetari i Prishtinës dhe kandidati për deputet, Shpend Ahmeti, në një tubim në Kodrën e Trimave, ka thënë se Prishtina ka guxuar ta bëjë ndryshimin në vitin 2013, me ç’rast ka ftuar që të votohet ndryshimi edhe me 11 qershor,
“Kodra e Trimave nuk ka qenë bastion i asnjë subjekti politik, por është bastion i trimave”, tha ai në këtë tubim, duke shtuar se nuk është faji i asnjë të varfri të Republikës se është i varfër.
“Të varfrit sot janë të varfër si rezultat direkt i politikave që kanë mbizotëru prej vittit 1999. Milionerat janë ba në Kosovë jo se kanë qenë të aftë, por se kanë qenë vllazëri në pushtet”, tha tutje Ahmeti.
“Kam kërkuar para 3 vite e gjysëm që të më besoni si kryetar, dhe ju më besuat. Sot ju kërkoj që t’i besoni Albin Kurtit dhe VETËVENDOSJE!-s që të qeverisë Kosovën. Dhe këtë po e them me bindjen e plotë se VETËVENDOSJE! është subjekti më i sinqertë e më i drejtë në Republikën e Kosovës”, ishte kërkesa e Ahmetit drejtuar banorëve të lagjes Kodra e Trimave.
Kurti: 21% e fëmijëve jetojnë në varfëri, qeverisja jonë i jep fund abuzimit të këtillë
Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë në tubimin r mbajtur në Kodrën e Trimave se Kosova ka popullsi të mirë dhe bujare, por institucione të dobëta dhe udhëheqësa të padrejtë. Prandaj, ai ka kërkuar që populli duhet ta ndryshojë udhëheqjen.
“Kosovës i nevojiten jo vetëm pushtetarë të tjerë, jo vetëm pushtet tjetër, por tjetër lloj pushteti”, tha Albin Kurtin në këtë tubim.
Më pas Kurti ka foluar edhe për dy koalicionet, me ç’rast tha se dy koalicionet që garojnë, nuk garojnë për Kosovën, por janë si mallra që shiten e blihen, dhe se duan që edhe Kosovën ta shesim. Por tha se pas 11 qershorit, mallit të tyre dhe atyre si mall u skadon afati.
“21% e fëmijëve të Kosovës jetojnë në varfëri. Nëse fëmijët janë e ardhmja jonë a duhe të lejojmë që të abuzojnë kësisoj me ta? Ne fëmijëve do t’ua punësojmë prindërit, do të investojmë në arsim. Do të luftojmë çdo abuzim. Abuzuesit janë këta që po ikin, janë e shkuara”, u zotua Kurti,
Ai theksoi po ashtu se varfëria bëhet degraduese totalisht kur duhet të zgjedhësh nëse duhet ta ngrohësh dhomën apo ushqesh fëmijën, si dhe shtoi se jeta e dinjitetshme nuk ka këso zgjedhjesh.
Haxhiu: Zhgënjimi në këto koalicione është shumë i madh
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur tubim elektoral në lagjen “Kodra e Trimave” të Prishtinës. Në tubim të pranishëm ishin kandidati për kryeministër, Albin Kurti, kryetari i Prishtinës dhe kandidati për deputet, Shpend Ahmeti, kandidatja për deputete, Albulena Haxhiu, si dhe kandidatë të tjerë për deputetë.
Eman Rrahmani, njëri nga kandidatët për deputetë, tha se qeverisje e VV-së angazhohet që të rinjtë të jenë zë i fuqishëm i angazhimit politik. Si dhe u zotua se me qeverisjen e VV-së, do t’i rikthehet dinjiteti i duhur edhe mësimdhënies cilësore.
“Të dashur qytetar të Kodrës së Trimave jeni ju që ua futët frikën atyre që ju vijnë vetëm për fushata zgjedhore. Prandaj edhe me 11 qershor dëshmoni duke votuar ndryshimin, numrin 35 dhe Albin Kurtin kryeministër”, tha në këtë tubim Rrahmani.
Pas tij, fjalën e ka marrë kandidatja për deputete, Albulena Haxhiu, e cila tha se ka takuar gjatë fushatë gra e vajza që nuk pranojnë nënshtrimin.
“Zhgënjimi në këto koalicione është shumë i madh, por te të gjithë kam parë shpresë, shpresë se ndryshimi i madh do të ndodhë me Vetëvendosjen. Zhvillimi, prodhimi, mirëqenia, barazia, drejtësia e ka veç një numër, numrin 35”, tha Haxhiu gjatë këtij tubimi,