Ahmeti: Qytetarët i dhanë krahë Prishtinës

Prishtinë | 02 Nën 2017 | 13:26 | Nga

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti mbajti sot konferencë për media bashkë me grupin e asambleistëve të rinj të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të cilët do t’i përfaqësojnë qytetarët e Prishtinës në Kuvendin Komunal gjatë katër viteve të ardhshme.

Ahmeti falënderoi qytetarët e Prishtinës për mbështetjen e madhe që ia dhanë VETËVENDOSJE!-s në Prishtinë, duke i dhënë kështu krahë Prishtinës.

“Në grupin tonë të asamblistëve kemi përfaqësim të moshave të ndryshme, të lagjeve të ndryshme të Prishtinës, të profesioneve të ndryshme, i dhe përfaqësim gjinor ku gratë dhe vajzat janë shumë të votuara brenda listës sonë”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se zotimet tona për mandatin e radhës janë të shumta, dhe iu duhet mbështetja e Kuvendit Komunal.

“Prandaj ka qenë e rëndësishme që t’i japim krahë Prishtinës. Qytetari i Prishtinës tashmë e ka bërë një gjë të tillë. Me këtë grup të asamblistëve do të ecim përpara me zhvillimin e Prishtinës përmes projekteve tona konkrete, dhe do ta kemi shumë më të lehtë menaxhimin e ndërmarrjeve publike. Tanimë jemi grupi më i madh i asamblistëve në Komunën e Prishtinës, dhe secila reformë që kërkon mbështetjen e Kuvendit do të realizohet shumë më lehtë”, theksoi Ahmeti.

Pas tij, para media foli asamblisti më i votuar në Republikën e Kosovës, Arben Vitia. Ai në emër të të gjithë kandidatëve të VETËVENDOSJE!-s për Kuvend Komunal falënderoi qytetarët e Prishtinës për besimin e dhënë, duke theksuar se me këtë rritje të numrit të asamblistëve në Kuvend Komunal do të vazhdohen punët e mira në kryeqytet.

“Me këtë përbërje të Kuvendit Komunal, 100 zotimet tona do të jenë shumë më lehtë të realizueshme. Rreth 60 për qind e Kuvendit Komunal përbëhet nga asamblistët e subjekteve që kemi qeverisur bashkë në mandatin e parë. Zotohemi se besimin që na e kanë dhënë qytetarët, do ta përkthejmë në përgjegjësi dhe punë edhe më të madhe për mandatin e radhës”, tha ndër të tjera Vitia.

“Gara për Prishtinën është garë mes dy opsioneve: mes idesë së kaluar; dhe idesë të së tashmes dhe të ardhmes bashkë. Përbërja e ardhshme e Kuvendit Komunal e tregon këtë më së miri. Tek pala tjetër ndër më të votuarit janë ata që ishin përgjegjës për degradimin e Prishtinës që nga paslufta, kurse lista e Lëvizjes sonë është përplot profesionistë që kontribuuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë për të mirën e Komunës dhe Republikës sonë”.

Të ngjashme