Me një dinamikë të mirë po vazhdojnë punimet në realizimin e shumë projekteve infrastrukturore në gjithë territorin e Komunës së Lipjanit.
Për t’i parë mbarëvajtjet e punimeve gjatë ditës së djeshme ka dalur vetë kreu i Lipjanit Imri Ahmeti, i cili ka uruar banorët për projektet që tani janë në fazën përfundimtare të realizimit.
Kryetari Ahmeti fillimisht ka vizituar punimet në asfaltimin e rrugëve në fshatin Hallaq i Madh, duke vazhduar në fshatin Zllakuqan ku edhe atje pritet që shumë shpejt të filloj asfaltimi i rrugëve.
Kreu i Lipjanit po ashtu gjatë ditës së djeshme ka qëndruar edhe në fshatin Mirenë për të parë nga afër punimet të cilat po zhvillohen me një dinamikë të shtuar në ndërtimin e objektit të ri shkollor në këtë vendbanim.
Ai po ashtu ka vizituar edhe punimet që po zhvillohen në asfaltimin e rrugëve në fshatin Resinovc, rrethojën e oborrit të shkollës “Vezir Kolshi” si dhe përgatitjet për asfaltimin e rrugës “Miftar Cani” në fshatin Baicë, rrugët e disa lagjeve në Shalë ku edhe atje po bëhen përgatitjet e fundit për asfaltim, si dhe punimet që po zhvillohen në fshatin Krojmir, konkretisht përgatitjet finale për asfaltimin e rrugës “Rrahman Veseli” dhe disa rrugica të tjera.
Banorët e këtyre vendbanimeve e kanë falënderuar Kryetarin për këto investime mjaft të nevojshme në përmirësimin e jetës së tyre. Ndërsa Kryetari Ahmeti u ka premtuar banorëve që do të jetë gjithmonë i përkushtuar në realizim të projekteve edhe në ardhmen për të gjitha lokalitetet e Komunës së Lipjanit.