AI i kërkon Kroacisë të sigurojë mbrojtje për marshimin e LGBT-së

Prishtinë | 28 Mar 2019 | 09:54 | Nga Ekonomia Online

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, u bëri thirrje autoriteteve në Kroaci që të garantojnë mbrojtjen e pjesëmarrësve në një marshim në Zagreb, në mbrojtje të komunitetit lezbik, homoseksual, biseksual dhe transseksual (LGBT).

Pjesëtarë të këtij komuniteti dhe mbështetës të tyre nga rajoni pritet të mblidhen në kryeqytetin kroat më 30 mars, për, siç thuhet, marshimin e parë të tyre ballkanik.

Amnesty International i bëri thirrje policisë kroate që të sigurojë se “marshimi do të zhvillohet pa pengesa dhe se pjesëmarrësit do të mbrohen nga ngacmimet, kërcënimet dhe dhuna”.

Amnesty kujtoi se marshimet e komunitetit LGBT në Kroaci, viteve të fundit, janë zhvilluar në mënyrë paqësore.

Megjithatë, organizata vuri në dukje “rritjen e retorikës kundër LGBT-së, nga politikanët dhe grupet fetare, pas një debati publik në vitin 2018 për ratifikimin e Konventës së Stambollit”, e cila synon parandalimin dhe luftimin e dhunës së bazuar në gjini.

Organizatorët e marshimit të ardhshëm kanë shprehur shqetësim se kjo mund të ketë efekt negativ në këtë ngjarje, tha organizata Amnesty International, me seli në Londër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme