Ajazi në balotazh me Lladrovcin: Përfaqësoj ndryshimin që qytetarët e Drenasit po e kërkojnë

Prishtinë | 19 Tet 2021 | 08:42 | Nga Ekonomia Online

Driton Ajazi nga iniciativa qytetare “Demokratët për Drenasin” ka treguar se pse beson që shkoi në balotash me Ramiz Lladrovcin e PDK-së në Drenasin që konsiderohej bastion i fortë i PDK-së.

“Ne së bashku me strukturat e degës së PDK-së e formuam një ekip shumë profesional dhe bashkarisht zhvilluam një fushatë dhe aktivitete gjatë një muaji ku na pranuan mjaft mirë qytetarët e Drenasit. Me punë dhe angazhim të secilit ne arritëm që në zgjedhjet e 17 tetorit t’i fitojmë rreth 7000 vota dhe të arrijmë në balotazh”.

Ai, në Sytë 7 në Klan Kosova, tha se ka qenë shumë i vështirë organizimi i tyre për të hyrën në garë për shkak se kjo iniciativë qytetare u themelua pak para mbajtjes së zgjedhjeve.

“Gara jonë ka qenë shumë sfiduese për vet faktin se është dashur të organizohemi nga zeroja dhe t’i arrijmë afatet ligjore për t’iu futur garës. I jam mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve të mi dhe i falënderoj të gjithë qytetarët e komunës së Drenasit të cilët besuan në vizionin dhe gatishmërinë tonë për ndryshim në Drenas”.

Ajazi që ishte vet pjesë e PDK-së deri para dy muajsh tha se iu desh që t’i futej garës me iniciativën e tij të krijuar rishtas për shkak se niveli qendror i PDK-së nuk i dha mbështetje atij për kandidat, por rikandidoi Ramiz Lladrovcin.

“Unë jam i nominuari nga strukturat e degës së PDK-së, por në pamundësi që ta zhvilloj garën nën llogon e PDK-së ne së bashku me strukturat dhe bashkëpunëtorët formuam platformën tonë politike “Demokratët për Drenasin” në mënyrë që ta vazhdojmë garën. Kjo ka qenë kërkesë e elektoratit tonë që na është thënë në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe pikërisht ne e përçuam këtë mesazh te qytetarët e Drenasit, sepse ata kanë pasë kërkesë që në krye të komunës së Drenasit të vijë një kandidat tjetër nga PDK-ja dhe të ketë ndryshime. Kjo gjë nuk ndodhi brenda strukturave të PDK-së. Niveli qendror nuk u pajtua, sepse në nivelin lokal në të gjitha strukturat e PDK-së kam pasë mbështetje mbi 70 %”.

Ai ka kritikuar Ramiz Lladrovcin që udhëheq me Drenasin e me të cilin do të garojë edhe në raundin tjetër të zgjedhjeve lokale.

“Unë kam qenë pjesë e strukturave të PDK-së dhe e kemi mbështetur Ramiz Lladrovcin, por me zgjedhjen e tij në krye të komunës ai nuk e përfilli planprogramin e PDK-së dhe shpërfilli në tërësi edhe strukturën e degës së PDK-së. Ai ka dështuar në tërësi në qeverisje duke ofruar afër vetes njerëz që kanë qenë pjesë e subjekteve të tjera politike dhe kanë qenë kundërshtarët tanë politikë, ku duke bërë pazare në këmbim të punësimit të familjarëve të tyre e bëri më të lehtë kalimin e vendimeve në Asamble Komunale”.

Driton Ajazi nga iniciativa qytetare “Demokratët për Drenasin” u shpreh i bindur se ai është adresa e ndryshimit që, sipas tij, po e duan qytetarët.

“Dua t’i falënderoj qytetarët për një proces demokratik dhe për ndarjen e mendjes së tyre që në krye të Drenasit të ketë ndryshim. Kjo tregohet me vet faktin se 55 %, sipas rezultati zgjedhor,  janë të përcaktuar tani më për ndryshim n komunën e Drenasit dhe unë besoj se e përfaqësoj ndryshimin që qytetarët e komunës së Drenasit e kërkojnë. Bashkëpunimi do të jetë kryekëput me qytetarët e komunës së Drenasit. Ne do të jemi adresa e vetme që do t’i prijmë proceseve dhe ndryshimeve”.

Të ngjashme