Ajri i ndotur po sëmur fëmijët dhe të rinjtë, ekspertët kërkojnë veprim urgjent

Prishtinë | 03 Jan 2026 | 09:30 | Nga Diellza Gashi

Ndotja e ajrit në Kosovë vazhdon të mbetet në nivele alarmante pa asnjë përmirësim të dukshëm, duke u kthyer në rrezik serioz për shëndetin publik. Eksperti i ndotjes së ajrit Ilir Morina në një intervistë për Ekonomia Online, thekson se mungesa e zbatimit të legjislacionit dhe projekteve mjedisore ka lënë vendin pa rregullore funksionale për ajrin, ndërsa institucionet nuk bashkëpunojnë me ekspertët.

Sipas tij, pasojat janë të rënda për shëndetin e popullatës, sidomos te të rinjtë.

“Ne kemi tri-katër vite që askush nga qeveria asnjë mbledhje nuk i thërret profesorët. Ne i ligjërojmë, bëjmë studime, bëjmë tema diplome dhe publikime shkencore, këto nuk i merr për bazë askuhs. Këto janë fatkeqësi për të ardhmen tonë. I bëj apel secilit deputet të ri të merret me problematikën e mjedisit ai që është për mjedis, i shëndetit ai që është për shëndet. 3 mijë e 600 të rinj të identifikuar me kancer, me sëmundje vdekjeprurëse dhe me 1.6 milionë banorë kjo është e tmerrshme, kjo nuk do diskutim, kjo është një problem shumë i madh. Ne po vdesim, po plakemi si popull, po ulet nataliteti, janë duke u larguar rinia nga Kosova, është shtrenjtuar jeta, nuk e di çfarë gjendje mund të jemi në 2030”, tha ai.

Morina thotë se vendi po shkon drejt humnerës me vetëdije, me ç’rast u ka bërë thirrje deputetëve të rinj që mjedisi dhe shëndeti të trajtohen si prioritete urgjente, duke paralajmëruar se mungesa e veprimit po e çon vendin drejt një krize të thellë shëndetësore.

“Çdo qeveri që vjen nuk duhet të vijë për të ndryshuar diçka tjetër, por duhet të implementojë legjislacionin që është në fuqi, që e kemi të harmonizuar me direktivat evropiane, kemi raportuar, kemi pasur progres në legjislacion, në politikat mjedisore në implementim. Nuk ka tri-katër vite që absolutisht nuk flitet për projekte mjedisore, as për ligje. Është bërë ligji i ajrit, në momentin kur bëhet një ligj i ri, të gjitha udhëzimet e ligjit të vjetër bien nga fuqia dhe ligji që ka hyrë në fuqi sot, Kosova nuk e ka asnjë rregullore që është në fuqi për ajrin. Tani duhet të presim. Ju lutem qeverive të reja, politikanët, deputetët, sapo të vijnë të implementojnë legjislacionet në fuqi. Kemi strategji, plane në fuqi, donatorë. Para ka sa të duash, mjete ka, filtra 90 milionë euro, 75 milionë euro për Kosovë me tre-katër miliardë euro ka qenë qesharake mos me u fol për atë punë. Filtrat janë shumë të rëndësishëm sa një rrugë. Secila fushë është e rëndësishme, por pa shëndet, pa mjedis të shëndoshë, nuk do të kemi njerëz të shëndetshëm, me njerëz të sëmurë, me probleme duke u sjellë nëpër spitale, duke na vdekur njerëz të rinj çdo ditë. Ne jemi duke shkuar drejt humnerës me vetëdije duke mos u marrë asnjë politikan.

Pediatri Gëzim Krasniqi ka theksuar se rritja e ndotjes së ndikon në sëmundjet respiratore, veçanërisht te fëmijët:

““Ndotje të ajrit kemi afatgjatë që ndikon tek të gjithë njerëzit, në veçanti tek fëmijët ndikon tek sëmundjet respiratore të cilat janë çdo ditë në rritje, prandaj ndotja e ajrit është ndër faktorët e rëndësishëm që fëmijët, përveç sezoneve me sëmundje respiratore siç janë virusët sezonalë, ndotja e ajrit i përkeqëson këto gjendje dhe çdo ditë e më shumë kemi fëmijë me probleme respiratore. Rritja e problemeve respiratore është gjithkund në rritje, por me theks të veçantë tek ne është evidente për shkak të ndotjes së ajrit. Mund të konfirmoj që rritja e pacientëve është e përditshme. Për hapat konsideroj që institucionet relevante duhet të kenë kujdes dhe vëmendje të vazhdueshme për përmirësimin e saj, sepse nëse në të gjithë botën rriten sëmundjet obstruktive të fëmijëve, por parametrat e ajrit janë në kufij normalë, ndërsa tek ne rriten dhe këta parametra nuk janë në kufij normalë, mendoj që institucionet relevante të marrin masa që së paku aty ku kanë hapësirë të përmirësojnë këto parametra”, tha ai.

Ai thekson se parametrat e ajrit në Kosovë mbeten jashtë kufijve normalë dhe kërkon masa urgjente nga institucionet përgjegjëse për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Ekspertët paralajmërojnë se pa angazhim serioz institucional, ndotja e lartë do të vazhdojë ta rendisë Kosovën ndër vendet me rrezik të madh për shëndetin publik.

Të ngjashme