Akademia!

Prishtinë | 21 Dhj 2022 | 16:37 | Nga Altin N. Ademi

Më mahnitë fakti se jetojmë në një “botë demokratike” ku mund të flasim lirshëm. Edhe të shkruajmë lirshëm. Edhe të shprehemi lirshëm. Kjo gjë, vërtetë s’ka çmim. Mendoni një herë se për çfarë çmimi, do të kishit shitur të drejtën për të folur, shprehur e shkruar. Çfarë kuptimi do të kishte prezenca juaj në “botë” dhe aderimi juaj i përditshëm në të, pa këto të drejta. Prandaj, liria e shprehjes, të folurit e të shkruarit, vërtetë nuk ka çmim.

Kur njeriu flet e shkruan, ai përpiqet të artikulojë mendime. Njeriu që nuk artikulon mendime, ka mendime por në të vërtetë, nuk mendon. Të menduarit, nuk është t’i thuash gjërat që di. Të thuash gjërat që di, do të thotë të kesh mendim për to. Por krejt i kundërt është të menduarit. Të menduarit, përfshinë ndërlidhjen mes asaj çfarë di dhe asaj çfarë je nisur për ta kuptuar, e që nga pozicioni ku nisesh, aktualisht nuk e di apo ke dyshime të thella nëse e di me siguri.

Kur njeriu përpiqet të artikulojë mendime, pra të ushtrojë të menduarit, ai mund edhe të gabojë. Njeriu për nga natyra është qenie e ndikueshme nga rrethanat dhe stimujt, prandaj duke dashur t’i përgjigjet një rrethane, ai mund të nxjerrë nga ekuilibri një rrethanë tjetër. Ky është fakti i gabimit. Subjektiv. Kënd vështrues.

Por ka një dallim të madh kur gabon njeriu, nga ai që pretendon se si njeri, është “aura” e inteligjencës së një kombi, akademiku.

Akademiku për t’u bërë i tillë, do të duhej të kishte kaluar disa filtra që i garantojnë një qasje më të sigurt përballë gabimit. Një qasje më korrekte ndaj fakteve. Ekskluzivisht ndaj fakteve. Njeriu ka opinione dhe mendime. Akademiku ka fakte dhe mendon. Ky është dallimi themelor.

Duke kujtuar vlerën që ka liria e shprehjes, gjithsesi se nuk mund ta shkëpusësh këtë vlerë nga një vlerë tjetër që e shoqëron atë, e ajo është toleranca ndaj asaj çfarë thuhet e shkruhet. Të jesh tolerant, në radhë të parë do të thotë të jesh thellësisht i vetëdijshëm se ajo çfarë thuhet e shkruhet nuk është ajo çfarë ti e merr si të vërtetë, por përkundër se e merr si të pavërtetë, e pranon si natyrë të tillë të pavërtetë, duke frenuar vetveten nga sulmi dhe shpërbërja e saj. Kjo është toleranca. Ajo ka peshë në çdo lloj marrëdhënie. Përfshirë edhe në atë çfarë mendojmë, shkruajmë e flasim.

Që nga koha kur jam ndërgjegjësuar rreth “pastërtisë së pasioneve” paralelisht me irracionalitetin e tyre, vështirë se e gjej vetën tek njerëzit që ballafaqohen me dikë tjetër, duke u ndikuar nga pasionet. Por njëkohësisht, që nga ajo kohë, rrallë më ka ndodhur të shoh se si tërheqja nga ballafaqimi përmes pasioneve duke shpresuar tek arsyeja, e sjell situatën në një rrethanë të tillë çfarë u shpalos dje në Kosovë, nga një adresë që do të duhej të ishte krejt e kundërta: Akademia.

Siç duket, Akademia, pasi që kishte heshtur përballë çdo gjëje dhe kishte abstenuar përballë çdo interesi publik dhe vegjetonte me vite brenda objektit me xhama ku bëhet luftë për pozitë më shumë se për ide, dje ju kishte bashkëngjitur një serie “non-papers” që kanë qarkulluar për një kohë të gjatë përreth Kosovës e me temë qendrore Kosovën.

Vërtetë nuk ja vlen komenti i përmbajtjes së asaj “rezymeje”. Por nga ajo “rezyme” megjithatë, mësuam diçka shumë të rëndësishme. Akademia jonë i referon si të vërteta, disa opinione që s’mbështeten në asnjë fakt e që s’janë faktuar në asnjë mënyrë, askund, në asnjë vend, nga asnjë studiues, hulumtues apo institucion akademik e shkencor, vendor ose i huaj.

Ajo na i solli si qëndrime disa mendime, por absolutisht jo, një rezultat të të menduarit që ka një pikënisje dyshuese, e që e plotësohet me fakte. Ajo me anë të asaj letre, përçoi mesazhe e opinione, por kurrsesi se të vërteta fakto grafike. Ajo me anë të asaj letre, u bë “orakull i të shkuarës” dhe “manifest i së ardhmes”, duke mos ia qëlluar as për së afërmi, as në njërën, as në tjetrën.

Por, toleranca na kujton se Akademia, ndonëse nuk ka mendime të qarta, ajo ka të drejtë të ketë opinione. Veçse për shkak të entitetit që përfaqëson, si “Akademi”, ajo mbanë një përgjegjësi që s’mund të kërkohet tek njerëzit e zakonshëm. Dikush, letrat e saj i merr seriozisht, e kjo pastaj shpërfytyron realitetin që e njohim dhe mbivendosë opinionin mbi faktin.

Ky shkrim nuk ka motiv personal, as politik, as pretendim për të ditur diçka tjetër që Akademia mund të mos ta dijë. Por ky shkrim, është ushtrim i të menduarit, përballë një kaste akademikësh që kanë mendime dhe të njëjtat përpiqen t’i kopsojnë si fakte. Nëse ata kanë guxim që t’i paraqesin opinionet “orakullare” si fakte, secili duhet të ketë guxim për t’i kontestuar ato.

Megjithatë, në fund, mbetet vetëm një rrugë. Ajo e Akademisë. Fundja, ç’mund të themi ne, vdekatarët e zakonshëm, përballë një Akademie që ia bën me dije Amerikës së Serbia është ndryshe nga çfarë Amerika mendon se ajo është.

Të ngjashme