Pse (nuk) mund të mbyllet tiktok?

Prishtinë | 20 Nën 2024 | 17:42 | Nga Lutfi Dervishi

Kur makina shtypi njeriun e parë, kori i atyre që donin të ndalonin makinën nga qarkullimi nuk ishte i vogël.

Si mund të vdesë njeriu nga makina?!! Skandal? Çfarë është kjo monster që vret njerëz. Me kuajt ishim rehat.

Makinat nuk u ndaluan, por u investua shumë në infrastrukture, në sinjakistikë, në rregullore, në masat e sigurise. Makina vazhdon të marrë jetë njerezish edhe sot, por askujt nuk i shkon në mendje të nxjerrë makinën nga rruga.

Debati i hapur sot nga kryeministri për të mbyllur tik tok dhe snap chat per shkak se nxisin bulizmin, gjuhën e urrejtjes ka vlerë vetëm nëse nxirren mësime nga pësimet dhe nuk shkojmë në zgjidhje alla Adhamudh.

Sot teknologjia nuk është thjesht një mjet; është një pjesë integrale e jetës sonë. Nuk divorcohemi dot nga jeta digjitale. TikTok, Snapchat dhe platformat e tjera sociale nuk janë burimi i problemit – ato janë mjete, ashtu si makina, që përdornim dje dhe që përdorim edhe sot. Problemi nuk qëndron tek TikTok dhe platformat e tjera, por tek mënyra si ne i përdorim dhe si i menaxhojmë efektet e tyre në shoqëri.

Nëse mbyllim Tiktok dhe snapchat, a jemi të sigurtë se në platforma të tjera nuk ka bullizëm, gjuhë urrejtje, veprime të paligjshme?!
Në vend që të mbyllim këto platforma, duhet të investojmë në “infrastrukturën” sociale.

Në anarkinë e botës digjitale që po jetojmë zgjidhja duhet kërkuar te edukimi dhe jo ndalimi.

Një përdorues i mirëinformuar fiton dhe nuk humbet nga rrjetet sociale.

Në vend që t’i shmangemi teknologjisë, duhet të edukojmë fëmijët dhe të rinjtë se si ta përdorin në dobi të tyre atë.

Kurrikulat shkollore duhet të kenë lëndë mbi etikën e përdorimit të mediave sociale dhe njohuri mbi privatësinë, bulizmin dixhital dhe ndikimin emocional që nesër mund të vijë jo vetëm nga përdoruesit njerëzit, por edhe nga botet dhe Inteligjenca Artificiale.

Ashtu si sinjalistika rrugore rregulloi trafikun, ligjet duhet të rregullojnë përdorimin e teknologjisë.

Mund të vendosen kufizime për algoritmet që promovojnë përmbajtje të dëmshme ose të përcaktohen mekanizma më të fortë për raportimin e bulizmit dhe gjuhës së urrejtjes.

Mund të investohet më shumë për të luftuar krimin kibernetik për t’ia ngulur në mendje “trimit” dhe “anonimit” se në rrjet “nuk është aq i padukshëm dhe i pakapshëm sa mendon”

Ashtu si fëmijët nuk lejohen të ngasin makinën pa një licencë, edhe qasja e tyre në teknologji mund dhe duhet të jetë e mbikëqyrur. Prindërit dhe mësuesit kanë një rol për të luajtur në mësimin e vetëkontrollit dhe përdorimit të vlefshëm dhe etik të teknologjisë.

Ashtu si makinat kanë evoluar me rripa sigurie, airbagë dhe sensorë që shmangin aksidentet, edhe platformat dixhitale mund të zhvillojnë teknologji që minimizojnë rreziqet. Algoritmet duhet të programohen për të favorizuar përmbajtje pozitive, ndërsa përdoruesit duhet të kenë informacionin e duhur se si të dalin nga një mjedis toksik on line.

Në vend që të demonizojmë dhe të mbyllim një platformë, le të hapim debatin mbi efektet që ka teknologjia mënyrat më të mira për ta përdorur atë. Të mbyllim hapësirën virtuale apo të flasim për një mjedis dixhital të shëndetshëm?

Mbyllja nuk është zgjidhje!

Ashtu si nuk ndaluam makinat, nuk mund të ndalojmë rrjedhën e teknologjisë. Aq më tepër që me Inteligjencën Artficiale nuk jemi para një rrjedhe, por një dallge të madhe.

Çdo përpjekje për të mbyllur platformat dixhitale është një luftë kundër erërave të kohës. Nëse te mbyllja kërkojmë zgjidhjen kemi injoruar rrënjët e problemit.

Në fund të fundit, platforma si TikTok nuk janë “monstra” që duhet të eliminohen, por “makina të reja” që kërkojnë rregullore, edukim dhe përgjegjësi.

Në vend që të bëjmë luftë me teknologjinë, le të investojmë të mësojmë si të bashkëjetojmë me të.

Nëse duhet të shpallim luftë, para se të ç’armatosim duart, duhet të ç’armatosim mendjen, zemrën, dhe gjuhën. A e bëjmë dot këtë?

Të ngjashme