Akademikët gjermanë kundërshtojnë krijimin e emrave me gjini asnjanëse

Prishtinë | 09 Mar 2019 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

Një grup i akademikëve, shkrimtarëve dhe humoristëve gjermanë e kanë tensionuar edhe më tepër debatin për paragjykimet gjuhësore. Ata kanë thënë se janë kundër emrave me strukturë qesharake, të cilët po përdoren për ta bërë gjuhën gjermane më asnjanëse kur bëhet fjalë për gjininë e emrave.

Në një letër të hapur të Asociacionit të Gjuhës Gjermane me bazë në Dortmund, figura të ndryshme të elitës gjermane, përfshirë filozofin Rüdiger Safranski, shkrimtarin Peter Schneider, humoristin Dieter Hallervorden dhe ish-udhëheqësin e shërbimit të inteligjencës, Hans-Georg Maassen, i kanë kundërshtuar thirrjet për më shumë emra me gjini asnjanëse.

Për më tepër, nënshkruesit e kësaj letre kanë thënë se nuk është e vërtetë që përdorimi i përemrave të gjinisë mashkullore i dekurajon femrat që të bëhen pjesë e profesioneve të caktuara. “Fakti që në kushtetutën gjermane përmendet 13 herë emri “kancelar” në formën e gjinisë mashkullore nuk ia ka pamundësuar Angela Merkelit përzgjedhjen dhe qëndrimin në pozitën e kancelares”, thuhet në këtë letër.

Emrat në gjuhën gjermane i përkasin gjinisë mashkullore, femërore dhe asnjanëse. Fjalët që përshkruajnë grupe me gjini të përzier tradicionalisht janë emra të gjinisë mashkullore. Për shembull, nëse bëhet fjalë për një grup të mësuesve, thuhet “die Lehrer” (mësuesit), jo “die Lehrerinnen” (mësueset).

Gjuhëtarët feministë në Gjermani kanë bërë propozime të ndryshme për ta bërë gjuhën gjermane më gjithëpërfshirëse në aspektin gjinor përmes përdorimit të emrave që nuk dallohen me gjini gramatikore ose përdorimit të shenjave të pikësimit pranë apo brenda fjalëve, përfshirë kllapat dhe fusnotat, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Të ngjashme