Lufta për Lirinë e Kosovës, e udhëhequr nga komandanti trim Ilaz Kodra, është vlerë sublime e Kombit tonë, është vlerë e pacenueshme, që s’ka forcë që do të mund ta zhvlerësojë.
Kështu tha sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në Akademinë Përkujtimore që u mbajt në Prishtinë, në 18-vjetorin e rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra.
Ai theksoi se pikërisht sot, në vigjilje të kësaj akademie, u ka dorëzuar shoqatave të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës draftligjin, nëpërmjet të cilit Republika e Kosovës institucionalizon mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së.
Veseli tha se ashtu si dje Ushtria çlirimtare e Kosovës triumfoi mbi makinerinë e luftës të Serbisë, sot nderimi dhe respekti për Ushtrinë çlirimtare të Kosovës do të triumfojë mbi shpifjet, denigrimet, mbi akuzat dhe propagandën speciale kundër saj.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është krenari jonë kombëtare, ndërsa mijëra djem e vajza të saj që dhanë jetën për liri, janë themeli mbi të cilin qëndron dhe do qëndrojë përgjithmonë, Republika e Kosovës”, theksoi Veseli.
Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit bëri të ditur se muajin që vjen, dy vajza, dy studente shembullore të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës, do ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës në dy sesione të Parlamentit Evropian të të Rinjve, të cilat do të të flasin për Kosovën në forumin që bashkon të rinjtë nga e gjithë Evropa: Flaka, vajza e doktor Fatmir Fazliut, i cili në prillin e vitit 1999, bashkë me një grup intelektualësh nga Mitrovica u morën nga forcat serbe dhe ende sot e kësaj dite nuk dihet për fatin e tyre, dhe Krenarja, vajza e vogël e komandantit të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, heroit Ilaz Kodra.
“Këta janë të rinjtë e Kosovës: krenarë me atë që bënë baballarët e tyre për Kosovën, të gatshëm për ta çuar përpara ëndrrën evropiane të Popullit tonë”, tha kryeparlamentari Veseli.
Abrashi: Më shumë se kurrë na duhet idealizimi si i Ilaz Kodrës
Në emër të ekzekutivit foli ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi,tha se lufta dhe veprimtaria për Ilaz Kodrën është e paharrueshme.
“Ilaz Kodra ishte i pari që kishte kuptuar se sa më të bashkuar të jemi kundër të keqes, aq më shpejt do të arrihet liria dhe pavarësia”, tha Abrashi.
Ai ka shtuar se më shumë se kurrë na duhet idealizimi si i Ilaz Kodrës dhe shokëve të tij që t’i bëjnë qytetarët të ndihen krenarë me vendin e tyre, Kosovën.
“Kodra ra me lavd duke mbrojtur civilët shqiptarë. Sot kemi sfida edhe pse nuk janë të njëjta me ato të Ilazit, por edhe sot duhet atdhedashuri për të forcuar institucionet publike në mënyrë që të shtrijmë sovranitetin në tërë territorin e vendit.
Kurse nga Instituti i Historisë, Sabit Syla, është shprehur se komandant Kodra ishte i pari që filloi ushtrimet e tij në Shqipëri e më pas iu bashkua UÇK-së për çlirim kombëtar.
Vajza e komandantit Ilaz Kodra, Sumeja Kodra, tha se në zemrat e tyre nuk mbizotëron pikëllimi, por krenaria e të qenit bijtë e heroit të Kosovës.
“Shokët e babit tim Sami Lushtaku dhe Sylejman Selimi sot padrejtësisht nuk mund të jenë pjesë e kësaj akademie përkujtimore. Ilaz Kodra nuk është vetëm babi im, por i të gjithëve atyre që sot jetojnë në liri”, tha ajo.