Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe Dhoma Kombëtare e Tregëtisë nënshkruajnë marrëveshje mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me Misionin Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet (DMPP) me qëllim të ngritjes së përbashkët të kapaciteteve diplomatike dhe ekonomike në nivel Kombëtar e më gjerë.
Kryetari i AKB, Agim Shahini, deklaroi se niveli i ekonomisë vendore kombëtare po ngrihet, por ka nevojë për përfaqësim dhe promovim ekonomik dhe diplomatik. Integrimi i vendit vjen atëherë kur ekonomia dhe investimet janë të qëndrueshme dhe permanente dhe jo sporadike siç i kemi sot. Në shumë vende ku nuk mund të depërtojë biznesi mund të ecim bashkë me ju me diplomaci dhe e vlerësoj si arritje të madhe këtë hap të përbashkët që ka munguar deri sot.
Guvernatori i DMPP, Shefki Hysa, tha se i bashkojmë forcat me këto subjekte ekonomike në fushat e diplomacisë ekonomike e kulturore me qëllim të mbizotërimit të Paqes Globale e në veçanti të Ballkanit me një traditë më konservative se ajo evropiane. Misioni Diplomatik ka prezencë në shumë vende të botës që ju mund t’i shfrytëzoni për të gjetur mundësi bashkëpunimi me biznesmenë të vendeve të ndryshme me qëllim të eksportit dhe importit të produkteve vendore që janë promotor i ekonomisë Kombëtare.
Palët pajtohen që deri në fund të vitit t’i emërojnë misionarët e përbashkët ekonomikë dhe diplomatikë në Gjermani, Austri, Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Zvicër e Turqi me qëllim të ngritjes së imazhit gjithëkombëtar.