Aleanca Kosovare e Bizneseve, në një konferencë për medie ka paraqitur 14 kërkesa ndaj institucioneve shtetërore për tejkalimin e krizës ekonomike, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën me temën ” 14 kërkesat e AKB-së, bizneseve dhe konsumatoreve deri më 14 shkurt”, kreu i AKB-së, Agim Shahini tha se në bashkëpunim me biznese kanë përpiluar dokumentin ku do të paraqesin kërkesat e tyre.
Rritja e shumës së Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, lirimi nga taksa, legalizimi i objekteve pa leje kanë qenë disa nga kërkesat që Shahini ka përmendur.
“Ne kërkojmë 14 pika qeverisë dhe partive për tejkalimin e krizës ekonomike që ka të bëjë me pandeminë . AKB kërkon për pasurimin e ligjit për rimëkëmbje ekonomike si dhe mbështetjen dhe lirimin nga taksat që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe kërkesat janë deri me 14shkurt”
“Të hiqen taksat për përpunues vendore dhe të legalizohen objektet të ndërtuara pa leje deri në fund të vitit 2021. Të falen të gjitha borxhet publike për biznese dhe qytetar deri në qershor të vitit 2021, qeveritë lokale të heqin taksat për bizneset, të hiqen ndëshkimet për mjetet për një afat gjashtë mujor, të zhbllokohen llogaritë bankare për të gjithë qytetarët që kanë borxhe për një afat gjashtë mujorë”, tha Shahini.
Lumnije Ajdini nga AKB-ja, tha se kanë kërkuar ndryshimin e Ligjit për prokurim publik.
“Ne si Aleancë kemi kërkuar që ta kenë parasysh me plotësim ndryshimin e Ligji për Prokurim Publik, sepse prodhuesit e Kosovës nëse do të kenë përparësi në investimet kapitale do të ishte mirë që të bëhet ky ndryshim”, tha ajo.
Suad Berisha nënkryetari i AKB-së, tha se këto kërkesa janë rruga më e shkurtë që të ndihmohet ekonomia.
“Këto 14 kërkesa janë rruga më e shkurt që Qeveria e Kosovës me mbështet ekonominë kosovare, andaj propozimet e AKB-së konsiderojmë që ia lehtësojnë Qeverisë së Kosovës për ta mbështetur ekonominë e Kosovës”, tha ai.