Për zhvillimin ekonomik të vendit gjatë këtij viti dhe sfidat me të cilat janë përballur në vitin 2017 ka dhënë vlerësime edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), në konferencën përmbyllëse.
Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se 2017 ishte vit i kthesave politike, por jo edhe atyre ekonomike. Si ndër sukseset kryesore përmendi masat e reja fiskale që do hynë në funksion nga një janari dhe nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit nga kompania amerikane në vlerë 1.300 miliardë euro.
Shahini, tha se liberalizimi i vizave nuk ndodhi dhe si rezultat i saj kosovarët u detyruan të marrin mbi 8 mijë e 500 viza pune iu lëshuan nga ambasadat e ndryshme. Për këto viza afariste, turistike, sportive e familjare u shpenzuan mbi 20 milionë euro.
Sipas kreut të AKB-së, zgjedhjet qendrore dhe lokale patën efekte negative në ekonomi, ku vetëm tre muajt e fundit qeveria vendosi të merret me procese ekonomike dhe heq të gjitha taksat për teknologji dhe lëndë të parë nga 1 janari 2018.
Ministria e Financave, morri edhe një vendim që të filloj procedurat për bartjen e TVSH-së nga kufiri në mbrendësi.
“Marrëveshja për demarkacionin Kosovë – Mali i zi solli trubulenca të mëdha në mes qeverisë, kuvendit e ndërkombëtarëve”, tha Agim Shahini.
Ai shtoi se po ashtu Ushtria e Kosovës nuk u themelua e as Asociacioni i Komunave Serbe, që për AKB-në janë të lidhura në mënyrë tërthorazi.
Integrimi dhe njohjet e Kosovës sipas kryetarit të AKB-së kanë stagnuar në vitin 2017.
“Marrëveshja Stabilizim Asocimit, nuk arriti të rritë eksportin në Bashkimin Evropian”, tha Agim Shahini.
Sipas tij riaktivizimi i Bordi të Pavarur për shqyrtimin e ankesave dhe parashtresave, nuk u riaktivizua. Po ashtu punësimi ishte dukshëm më i vogël sesa ai i pritjes dhe premtimeve, ku mesatarisht 12 mijë për çdo vit sipas statistikave tëë AKB-së. Ai tregoi se informaliteti mbeti rreth 35 për qind.
Shahini shtoi se prodhimi vendor nuk arriti ta zëvendësojë importin i cili u rrit edhe në vitin 2017. Deficitet tregtare mbeten të larta në raport 88 % – 12% të eksportit.
Për ndërtimin e termocentralit nga kompania amerikane në vlerë 1.3 miliardë euro u nënshkrua marrëveshja. Sektori më profitabil në Kosovë ishte ai financiar i patundshmërisë dhe ai i ndërtimit.
“Demarkacioni me Malin e zi, Gjykata Speciale, Asociacioni për Komunat Serbe dhe mos formimi i Ushtrisë së Kosovës, janë të gjitha këto tema që mund të destabilizojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja dhe ngadalësimin e zhvillimit ekonomik”, tha Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve.
Sylejman Konushevci, pronar i fabrikës së vajit Bio oil, tha se si prodhues kanë pasur vështirësi në importiin e lëndës së parë për shkak të politikave jo të favorshme.
“Deri tash pos premtimeve institucionale nuk ka pasur veprime konkrete, ndërsa tash po presim nga kjo qeveri që nga 1 janari të shohim politikat e reja fiskale”, tha Shahini.
Nga ana tjetër menaxherja Lumnije Ajdini, ka bërë prezantimin e aktiviteteve të vitit 2017 dhe planet e AKB-së për vitin 2018 dhe tha se ndër projektet më të mëdha të vitit ishin Javët e Biznesit, hulumtimi i nevojave të tregut të punës si dhe hapja e zyrave regjionale të AKB-së dhe promovimi i ekonomisë vendore në Spanjë, Bolivi e shumë vende tjera të Bashkimit Evropian.