Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka vlerësuar se Kosova po hyn në një tjetër proces zgjedhor me të njëjtat premtime, programe të ricikluara dhe mungesë vizioni për zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas tij, shumica e partive politike po kërkojnë votën e qytetarëve pa ofruar një plan të qartë për rritjen e prodhimit, eksporteve, investimeve dhe punësimit.
“Po dëgjojmë premtime milionëshe e miliardëshe, por nuk po dëgjojmë asnjë shpjegim se ku do të gjenden paratë, kush do t’i financojë ato dhe si do të realizohen. Kjo nuk është garë programesh, por garë premtimesh pa mbulesë”, ka deklaruar Shahini.
Ai ka shprehur shqetësimin se ekonomia, sektori privat, prodhuesit dhe eksportuesit pothuajse nuk ekzistojnë në debatin politik.
“Asnjë vizion serioz për industrinë, asnjë strategji për eksportet, asnjë plan për të ndalur largimin e fuqisë punëtore dhe asnjë platformë të qartë për tërheqjen e investimeve të huaja”, është shprehur ai.
Shahini ka theksuar se pas më shumë se 26 vitesh liri dhe mbi 18 vite shtet, është e papranueshme që partitë politike ende të mos kenë një projekt kombëtar ekonomik për Kosovën.
“Një vend nuk zhvillohet me slogane, por me fabrika; nuk forcohet me propagandë, por me investime; nuk ecën përpara me premtime, por me rezultate”, ka thënë ai.
Sipas tij, qytetarët duhet t’i pyesin të gjithë kandidatët: “Çfarë do të prodhoni? Çfarë do të eksportoni? Sa vende pune do të hapni? Sa investime do të sillni? Dhe si do ta bëni Kosovën më konkurruese dhe më të respektuar në botë?”
“Kosova nuk ka nevojë për politikë që flet shumë dhe prodhon pak. Kosova ka nevojë për lidership që premton më pak, por realizon më shumë”, ka deklaruar në fund Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve.