Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) e përkrah vendimin e Qeverisë së Kosovës për vënien e taksës deri në 100 për qind për prodhimet “made in Serbia”.
AKB thotë se taksa e vënë nga Qeveria e Kosovës është një vendim i guximshëm ndaj Serbisë, por edhe hakmarrje e drejtpërdrejtë për bllokadat e vazhdueshme që Serbia po i bënë politikisht dhe ekonomikisht Kosovës; kjo edhe pse ekziston një marrëveshje në Bruksel që Serbia është pajtuar që Kosovën mos ta pengojë në rrugëtimin e vet në anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtare.
“Kjo taksë nënkupton thirrjen e ndërgjegjes tonë popullore për bojkot të prodhimeve të Serbisë”, thekson kjo organizatë.
AKB-ja mbështet këtë iniciativë dhe i bënë thirrje bizneseve importuese që të orientohen nga vendet mike të Kosovës për zëvendësim të këtyre produkteve, por edhe biznesit vendor prodhues që të rrisin kapacitetet e veta për të furnizuar konsumatorin pa e ndier mungesën e zëvendësimin e prodhimeve nga Serbia me ato “Made in Kosova”.
AKB-ja rikujton se me vite ka kërkuar vënien e masave të tilla, por deri tash ka munguar vullneti dhe guximi politik.
“Pra qeveria është treguar e guximshme ndaj Serbisë dhe vlerësojmë si vendim të duhur dhe i cili e mbron identitetin e Kosovës”.
“Vendimi i sotëm tenton ta gjunjëzojë Serbinë ekonomikisht, e cila e ka tregun në Kosovë në vlerë rreth gjysmë miliardë euro që ta respektoj Kosovën si partner drejt integrimeve”, thuhet në reagimin e Aleancës Kosovare të Biznesit.