Importuesit vendorë po ankohen se pagesa e akcizës në kufij për mazutin, i cili përdoret si lëndë e parë nga prodhuesit vendorë, po i dëmton ata tej mase. Aktualisht kompanitë importuese për çdo litër mazut që importojnë paguajnë 0,25 euro në emër të akcizës në Doganë. Ndërkaq, rimbursimin e bën kompania e cila e përdor atë. Gjatë vitit 2015 në emër të akcizës kompanitë kishin paguar 7.1 milionë euro, ku prodhueseve u janë kthyer 5.5 milionë euro
Pagesa në kufij e akcizës për mazut, i cili përdoret si lëndë e parë për shumë prodhues vendorë, po konsiderohet si barrë e rëndë për kompanitë importuese, pasi paratë e tyre po bllokohen për një kohë të gjatë nga Dogana e Kosovës.
Aktualisht kompanitë importuese për çdo litër mazut që importojnë në Kosovë duhet të paguajnë 0,25 euro në emër të akcizës në Doganë.
Ndërkaq rimbursimin e bën kompania vendore, e cila e përdor atë si lëndë të parë për prodhim.
Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, thotë se gjatë vitit 2015 kompanitë importuese në emër të akcizës në mazut kanë paguar akcizë prej 7 milionë e 183 mijë eurosh. Ndërkaq, nga fillimi i këtij viti e deri në fund të muajit maj është paguar akcizë prej 2 milionë e 685 mijë eurosh.
Sipas tij, në emër të rimbursimit gjatë vitit 2015 prodhueseve vendorë u janë kthyer 5 milionë e 561 mijë euro. Ndërkaq sivjet u është kthyer 1 milion euro.