Agjencia e Kosovës për Forenzikë e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka mbajtur ceremoninë e pesëmbëdhjetë vjetorit të themelimit të saj.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i cili mori pjesë në këtë ceremoni, theksoi se duke u nisur nga misioni dhe qëllimi i themelimit dhe funksionimit të AKF-së si institucion shtetëror me një rol të veçantë në sistemin e sigurisë dhe drejtësisë në shtetin, është një privilegj por edhe përgjegjësi dhe sfidë për menaxhimin e përgjithshëm të saj.
“Fusha forenzike të cilën e mbulon ky institucion është shumë e ndjeshme, e rëndësishme dhe përcaktuese në identifikimin, zbulimin, vërtetimin, parandalimin e kriminalitetit në vendin tonë”, tha Mustafa.
Ai shtoi se Agjencia e Kosovës për Forenzikë do të ketë përkrahjen e tij dhe drejtimin e duhur të përcaktuar me Ligjin për AKF-në dhe legjislacionin përcjellës të aprovuar.
“Falë angazhimit të të gjithë personelit të AKF-së dhe më mbështetjen time të pa rezervë në të gjitha drejtimet, sukseset nuk do të mungojnë edhe në vitet vijuese”, shtoi Mustafa.
Kryeshefi i AKF-së, Blerim Olluri, tha se AKF gjatë këtyre viteve ka luajtur një rol të rëndësishëm në zbardhjen e veprave penale ku të gjitha ekspertizat janë kryer sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
Me këtë rast para të pranishmëve u paraqit edhe një film dokumentar i shkurtër lidhur me historikun e themelimit të AKF-së.
Disa nga të arriturat kryesore që janë realizuar gjatë këtyre viteve nga AKF: Kryerja në mënyrë profesionale dhe me standarde ndërkombëtare e rreth 4000 ekspertimeve me mbi 40 000 dëshmi përcjellëse çdo vit. Akreditimi i pesë laboratorëve me standarde ndërkombëtare të cilësisë ISO 17025. Rezultatet pozitive të të gjithë eksperteve në testet ndërkombëtare të zotësisë.