Akil Gjakova më në fund mund të ndihet plotësisht i barabartë me xhudistet, nën hijen e të cilave e ka zhvilluar karrierën deri më tani. 22-vjeçari me triumfin në turneun më të madh të xhudos në botë, Grand Slamin e Parisit, është në një nivel me Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën dhe Distria Krasniqin që e kanë bërë të njohur Kosovën përmes xhudos, shkruan sot “Koha Ditore”.
Me suksesin e së shtunës, Akili po ashtu ka shkruar histori, përkatësisht ka hapur kapitull të ri të xhudos kosovare.
Gjakova ka kohë që vlerësohej talent i madh i xhudos. Por pati vështirësi për të kaluar me sukses në nivelin senior, përkatësisht për të shfaqur vlerat me më të mirët. Por me suksesin në Paris kjo fazë vlerësohet e përfunduar. Ai i ka siguruar vetes vend në mesin e xhudistëve elitarë të botës. Të tillë të paktën e bënë suksesi në Paris, para plot 15 mijë shikuesve.
Akili fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 73 kilogramë, në garën që për nga rëndësia krahasohet me kampionatin botëror. Fitoi rresht ndaj Moussa Hsan të Tunizisë, Eduardo Araujo të Meksikës, Arthur Margelidon të Kanadasë, Tsogtbaatar Tsend-Ochir të Mongolisë dhe në finale ndaj Lasha Shavdatuashvili të Gjeorgjisë.
Sidomos fitorja me “Waza-ari” ndaj gjeorgjianit është çmuar shumë. Shavdatuashvili është kampion olimpik nga Londra në vitin 2012 dhe fitues i medaljes së bronztë olimpike në Rio 2016..