Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), në bashkëpunim me projektin për decentralizim dhe përkrahje të komunave – DEMOS, mbajti takimin me Kolegjiumin për Shërbime Publike në diskutimin e sfidave aktuale në fushën e menaxhimit të mbeturinave.
Nxitja kryesore ishte evidentimi i pengesave dhe diskutimi i rekomandimeve nga raporti i fundit lidhur me boshllëqet në menaxhimin e mbeturinave sikurse janë: komunat me ligj janë të detyruara ta marrin përsipër inkasimin e tarifës për mbeturina; komunat me ligj janë të obliguara të shpallin tender për grumbullim të mbeturinave; komunat mund ta kushtëzojnë ofrimin e shërbimeve tjera (që nuk janë të drejta themelore të njeriut) me pagesën e mbeturinave; nuk ka kod të veçantë për ato komuna që e marrin përsipër inkasimin se ku do të derdhen mjetet nga inkasimi; si dhe nuk është e qartë se ku do të evidentohen shpenzimet – pagesa nga komuna tek operatori.
Me qëllim tejkalimit të kësaj situate nevojitet diskutimi me Ministrinë e Linjës sa i përket gjetjes së alternativave buxhetore në mbështetje të autoriteteve komunave sa i përket inkasimit të të hyrave nga mbledhja e mbeturinave.
Edhe një herë u theksua fakti se përmes arritjes së një zgjidhje të qëndrueshme në këtë fushë pritet të reflektojë në fuqizimin e komunave në inkasimin e të hyrave nga grumbullimi i mbeturinave në buxhetin komunal si dhe administrimin më të mirë në këtë fushë.