Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar pasi deputetët votuan të enjten pro-amandamentit që parasheh heqjen e nenit me të cilin mjetet vetanake të pashpenzuara të komunave të kalonin në llogarinë e shtetit. Me projektbuxhetin i vitit 2023, të propozuar nga Qeveria Kurti, parashihej që mjetet vetanake të kalonin në arkën e shtetit. Por, me […]
AKK gëzohet pas “dorëzimit” të Qeverisë për mjetet vetanake të komunave

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar pasi deputetët votuan të enjten pro-amandamentit që parasheh heqjen e nenit me të cilin mjetet vetanake të pashpenzuara të komunave të kalonin në llogarinë e shtetit.
Me projektbuxhetin i vitit 2023, të propozuar nga Qeveria Kurti, parashihej që mjetet vetanake të kalonin në arkën e shtetit.
Por, me propozimin e LDK-së dhe mbështetjen e pozitës, kjo është korrigjuar sot gjatë shqyrtimit në lexim të dytë. Kësisoj, pro këtij ndryshimi ishin 94 deputetë.
Kështu, AKK-ja i është gëzuar këtij triumfi përball Qeverisë së Kosovës.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës pas reagimeve të Komunave, ka kundërshtuar propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, që këto mjete nga Të Hyrat vetanake të Komunave , që përfshijnë disa miliona euro të kalojnë në Buxhetin e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e AKK-së.
Njoftimi i plotë i AKK-së:
PAS LOBIMIT TË SUKSESSHËM TË AKK-SË, TË HYRAT VETANAKE U MBESIN KOMUNAVE NË VITIN 2023
Kuvendi i Republikës së Kosovës tërhoqi pikën 6 të nenit 9 të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2023
Projekt-ligji i Buxhetit për vitin 2023 i propozuar nga MFT, është kontestuar nga Komunat përkatësisht Asociacioni i Komunave të Kosovës, në nenin (9) pika (6), ku bëhej fjalë për të hyrat vetanake të grumbulluara nga komunat e ku thuhej që : “Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar”, paragraf ky i cili është konsideruar nga AKK në kundërshtim me ligjet ekzistuese që rregullojnë aspektin e të hyrave vetanake të Komunave.
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka arritur të mbrojë përmes lobimit të drejtën e Komunave të mbajnë dhe të menaxhojnë e të hyrat vetanake të grumbulluara, pasi që mjetet janë të qytetarëve dhe duhet të investohen nëpër Komuna, e drejtë e cila është e garantuar edhe me gjitha aktet juridike në Republikën e Kosovës.
Asociacioni i Komunave të Kosovës pas reagimeve të Komunave, ka kundërshtuar propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, që këto mjete nga Të Hyrat vetanake të Komunave , që përfshijnë disa miliona euro të kalojnë në Buxhetin e Qeverisë së Kosovës .
AKK- edhe një herë ishte në mbrojtje të Komunave duke respektuar Ligjin e Menaxhimit të Financave Publike, atë të Financave të Pushtetit Lokal si dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.











