Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar lidhur me Projektligjin për pagat, duke theksuar se ky projektligj nuk është diskutuar fare me AKK-në, si përfaqësues i vetëm legjitim i komunave të Kosovës.
Sipas AKK-së, propozimet në këtë projektligj për koeficientin e kryetarëve të komunave janë bërë pa asnjë studim të mirëfilltë rreth dhe mbi vëllimin e punës së kryetarit të komunës, përgjegjësive ligjore dhe llogaridhënies ndaj qytetarit si dhe përgjegjësive publike që bart një kryetar komune.
Në Projektligj ka një dallim të madh në koeficientet e pagave mes funksionarëve të institucioneve qendrore ndaj atyre lokale.
“Konsiderojmë dhe besojmë që dallimi në koeficient të pagave për përfaqësues të institucioneve tjera të ndryshme qeveritare (p.sh agjencive të pavarura) dhe kryetarëve të komunave nuk është i drejtë për shkak të dallimit substancial dhe të madh në vëllimin e punëve dhe përgjegjësive publike që bart një udhëheqës i një agjencie në raport me ato të kryetarit të komunës”, thuhet në reagimin e AKK-së.
Kryetari i komunës është 24 orë në funksion të të gjitha zhvillimeve në komunë (shërbime komunale ndaj qytetarëve), qofshin ato të zakonshme apo edhe emergjente.
Duhet theksuar që kryetarët e komunave kërkojnë trajtim të drejtë dhe korrekt të tyre vetëm rreth koeficientit e jo të shumës së pagës në raport me disa pozita të cilat janë të parapara në këtë projekt ligj.
Sipas këtij projektligji, kryetarët e komunave janë ndarë në dy kategori: Kryetari i Prishtinës dhe të gjithë kryetarët tjerë të komunave të Kosovës.
Sipas AKK-së, kjo i bie që kryetari i komunës së Prizrenit, Ferizajt, Gjakovës, Pejës, Gjilanit, Podujevës, etj., të ketë koeficientin dhe njëkohësisht edhe pagën e njëjtë me kryetarin e një komune me 1 000 banorë.
“Pra, përveç kryetarit të Prishtinës, kryetarët tjerë të komunave do të kenë koeficientin më të ultë se një zëvendësministër, zv/auditori i Përgjithshëm, kryetari i KRPP-së, drejtori i ZRrUM-it, shefi i kabinetit kryetarit të Kuvendit të Kosovës, shefi i kabinetit të ZPRK-së, zv/shef i stafit në ZKM etj, e do të ketë koeficientin në nivel të njëjtë me zv/mbikëqyrësin kryesor shtetëror dhe gjyqtarin për kundërvajtje”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Këto propozime për AKK-në janë ta papranueshme dhe të pakuptimta.
Propozimi i AKK-së, bazuar në takimin e Këshillit të kryetarëve, ishte që:
Kryetari i Prishtinës të ketë koeficientin e njëjtë me atë të ministrit; Kryetarët e Komunave me anëtar të Kuvendeve Komunale prej 30-50 anëtarë të kenë koeficientin e njëjtë me atë të zv/ministrit; Kryetarët e Komunave me anëtar të Kuvendeve Komunale prej 15-30 anëtarë të kenë koeficientin e njëjtë me të propozuarin në këtë projekt ligj; Zv/kryetarët e Komunave të kenë 70% të pagës së kryetarit të komunës; Kryesuesi i KK-së të ketë 60% të pagës së kryetarit të komunës.
“Të gjithë këto propozime të AKK-së janë argumentuar e arsyetuar në kontekst të përgjegjësive dhe vëllimit të punës që bartin pozitat udhëheqëse në Komunat e Kosovës në raport me disa pozicione tjera publike. Në ditët në vijim, në konsultim me Bordin e AKK-së dhe Këshillin e Kryetarëve, Asociacioni i Komunave të Kosovës do të dalë më një qëndrim për një plan konkret lidhur me situatën e krijuar në këtë drejtim”, thuhet në reagimin e AKK-së.