Në kuadër të pakos ligjore të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit përveç ligjeve tjera në miratim janë edhe Ligji për Agjencinë Kundër Korrupsion dhe Ligji për Deklarimin e Pasurisë dhe Dhuratave të Zyrtarëve të Lartë Publik. Së fundmi në medie, veçanërisht në platformat online, janë publikuar disa shkrime të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e deklarimit dhe publikimit të parave të gatshme (parave kesh) të zyrtarëve të lartë publik dhe të gjithë atyre që iu nënshtrohen deklarimit të pasurisë.
Agjencia Kundër Korrupsionit përmes një sqarimi njofton të gjithë se ka përcjellë tek Grupi Punues i Ministrisë së Drejtësisë draftin fillestar të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë dhe Dhuratave të Zyrtarëve të Lartë Publik, i cili do të diskutohet më tutje nga anëtarët e grupit punues. Ky ligj përcakton detyrimet e zyrtarëve të lartë publik dhe personave të tjerë që t’i deklarojnë prejardhjen e pasurisë dhe dhuratave; parandalimin e pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve të lartë publik dhe personave të tjerë; kompetencat e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe organeve tjera shtetërore për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së pasurisë dhe dhuratave.
Sipas draftit të propozuar të gjitha “të dhënat e deklarimit të pasurisë së zyrtarit të lartë publik përfshin: emrin, mbiemrin, pozitën, emri i institucionit, …, posedimi i letrave me vlerë, para të gatshme, detyrimet financiare që i ka zyrtari ndaj personave fizik dhe juridik dhe të hyrat vjetorepublikohen nga Agjencia”.
Për më tepër, drafti i ligjit përfshinë edhe valutat digjitale në të cilën përdoren teknikat e enkriptimit për të rregulluar gjenerimin e njësive të valutës dhe verifikimin e transfertave të mjeteve, duke operuar si e pavarur nga banka qendrore.
Drafti fillestar i këtij ligji është përgatitur me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë të angazhuar nga projekti SAEK II i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara – UNDP, dhe ekspertëve të projektit të Komisionit Evropian PECK II, implementuar nga Këshilli i Evropës dhe Zyra e BE-së në Prishtinë, të cilët kanë marrë praktikat më të mira ndërkombëtare dhe janë siguruar që drafti të hartohet sipas standardeve ndërkombëtare, legjislacionit relevant acquis dhe Konventave Ndërkombëtare në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit.Po ashtu janë marrë për bazë rekomandimet e raporteve dhe publikimeve të ndryshme të shoqërisë civile dhe medie që merren me fushën e kundër korrupsionit.
AKK vlerëson se ky version i draftligjit rregullon më mirë se Ligji aktual çështjen e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik.
Andaj kjo agjenci thotë se mund të jenë keq-interpretuar disa deklarata në lidhje me këtë Ligj.
“Duke u bazuar në të gjitha ato që u tha më lartë, mund të përfundohet se ky version rregullon çështjen e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik më mirë se ligji aktual në fuqi. Prandaj, mund të jenë keq-interpretuar disa deklarata në lidhje me këtë ligj. Përmes këtij sqarimi ju njoftojmë se nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë pretendim nga Agjencia apo ndonjë institucion tjetër për mos publikimin e parave të gatshme (kesh)”, thuhet në sqarim.
Më poshtë mund të gjeni versionin e nenit të draft-ligjit në lidhje me regjistrin dhe publikimin e të dhënave:
Neni 15
Regjistri i Deklarimeve
“Ju njoftojmë se ky ligj është në procedurat e miratimit dhe ende është në fazën e diskutimit të grupit punues. Projektligji do t’i nënshtrohet të gjitha procedurave të miratimit dhe do të jetë në dispozicion për diskutim për të gjitha institucionet dhe publikun gjatë fazës së diskutimeve paraprake dhe diskutimeve publike”, përfundon sqarimin nga AKK.