Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot zyrtarisht ka shpallur shitjen e aseteve përmes likuidimit nr.34.
Lista e tenderëve për privatizim me shitje të aseteve nr. 34 përmban 80 njësi/asete në pronësi shoqërore. Të gjitha këto njësi/asete do të privatizohen përmes metodës së shitjes përmes likuidimit.
“Pas mbledhjes së Bordit të Drejtorëve, të mbajtur në muajin maj 2017, AKP ka njoftuar menaxhmentin e NSh-ve dhe Komunat përkatëse se këto ndërmarrje shoqërore, si dhe asetet e NSh-ve do të privatizohen dhe ka shpallur njoftimin për tender në faqen e saj të internetit www.pak-ks.org dhe në të gjitha gazetat vendore”, thuhet në njoftimin e AKP-së.
Afati i fundit për parakualifikim për shitjet e aseteve përmes likuidimit nr.34 do të jetë dita e mërkurë, 24 korrik 2017.
Dita për dorëzimin e ofertave do të jetë më 31 korrik 2017, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë duke filluar nga ora 12:30.