AKP-ja shpërndan 20% edhe për 2840 punëtorë

Prishtinë | 04 Jan 2017 | 16:24 | Nga

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka ekzekutuar vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës (DhPGjSK) për shpërndarjen e fondeve njëzet për qind (20%) nga çmimi i shitjes të dedikuara për punëtorët e 14 ndërmarrjeve shoqërore (NSh).

Pasi që janë krijuar kushtet ligjore të parapara me legjislacionin në fuqi që e rregullon çështjen e shpërndarjes së fondeve të 20%-it, Agjencia ka përgatitur dokumentacionin përkatës për shpërndarjen e fondeve të 20%-it për punëtorët e kualifikueshëm të këtyre ndërmarrje shoqërore dhe shuma e fondeve që është në procedurë të shpërndarjes kësaj radhe është 908,130.89 €uro. Nga kjo shpërndarje do të përfitojnë 2840 punëtorë që i kanë plotësuar kriteret ligjore për të qenë pjesë në shpërndarje të 20%-it.

Bartja e këtyre fondeve do të bëhet në llogarinë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) në pajtim me nenin 10.5 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2003/13 (me ndryshime).

Nga fondet e 20% deri me tani Agjencia ka shpërndarë rreth 110 milionë euro, dhe nga këto shpërndarje kanë përfituar rreth 46 mijë punëtorë dhe ish punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore. Ndërsa vetëm gjatë vitit 2016 janë shpërndarë rreth 6 milionë euro për punëtorët e kualifikueshëm. Në ndërkohë, Agjencia është në proces të përgatitjes së dokumentacionit për shpërndarjen e fondeve të 20%-it për punëtorët e kualifikueshëm edhe për disa NSh tjera, për çka punëtorët e këtyre NSh-ve dhe opinioni i gjerë do të informohen me kohë.

capture

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme