Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka nënshkruar kontratë me kompaninë gjermane HPC, në konzorcium me kompaninë me renome botërore “Ernst & Young”, për ofrim të shërbimeve profesionale për zbatim të studimit të fizibilitetit të Trepçës me orientim strategjik për zhvillim të saj.
AKP bën të ditur se çmimi i kontratës është 598 920 Euro. Kontrata ishte e paraparë të nënshkruhej në fillim të muajit korrik, por, lidhja e kontratës është shtyrë për shkak të një ankese në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Studimi i fizibilitetit shtrihet në dy fusha, në zhvillimin e mëtutjeshëm të Trepçës duke u mbështetur në gjendjen aktuale, zhvillimet e reja të tregut, të teknologjisë dhe përvojave të reja të modeleve biznesore për eksploatim të xeheve e deri në produkt final; si dhe do të ofroj rekomandime për qasje strategjike lidhur me zbatim të aktiviteteve të reja me vlerë të shtuar.
Veç tjerash, ky studim do të ofrojë rekomandime lidhur me alternativat më të mira për revitalizim dhe transformim të Trepçës, po ashtu do t’u ofroj investitorëve potencial të dhënat e nevojshme dhe informacione për investimet e ardhshme.