Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) zyrtarisht ka shpallur shitjen e aseteve përmes likuidimit nr.49. Lista e tenderëve për privatizim me shitje të aseteve nr. 49përmban 137 asete/njësi atraktive të ndërmarrjeve shoqërore në Republikën e Kosovës, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vendin tonë.
Agjencia ka thjeshtësuar akoma më shumë procedurat e ofertimit me ndryshimet që u janë bërë Rregullave të Tenderit, duke mundësuar lehtësime për procesin e ofertimit. Rregullat e reja të Tenderit aplikohen nga kjo valë e shitjeve të aseteve dhe ofertuesit duhet të aplikojnë me procedurat e reja, ndërsa janë të publikuara edhe në web faqen e Agjencisë: www.pak-ks.org. Ofertuesit mund të vizitojnë edhe zyret e AKP-së dhe të njoftohen drejtpërdrejt nga zyrtarët përgjegjës me procedurat e reja të ofertimit.
Kjo valë e shitjeve me të gjitha asetet e tenderuara është aprovuar në Bordin e Drejtorëve, kurse AKP i ka njoftuar paraprakisht të gjitha Komunat përkatëse se këto asete të ndërmarrjeve shoqërore do të privatizohen dhe ka shpallur njoftimin për tender në faqen e saj të internetit www.pak-ks.org dhe në mediat e shkruara dhe ato elektronike.
Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet në vijim duhet të dorëzohen në“Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë me datën 21 gusht 2019, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull. Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30.