Dega e Aleancës Kosova e Re dhe Bashkësia e Degëve të Partisë Shqiptarë Demokristiane të Kosovës në Komunën e Klinës, do ta mbështesin kandidaturën e kandidatit të degës së PDK-së, Sokol Bashota për kryetar të Komunës së Klinës në rundit e balotazhit më 19 nëntor 2017.
Sot zyrtarisht në dy ceremoni të ndara, është nënshkruar marrëveshja e koalicionit në mes kryetarit të AKR-së dega në Klinë, Avni Gashi, kryetarit të BD të PSHDK-së, Tush Dedaj, me kryetarin e degës së PDK-së në Klinë, Sokol Bashota, për ta mbështetur atë të fundit në garën për kryetar komune në rundin e balotazhit.
“Përmes kësaj marrëveshje, AKR dhe BD e PSHDK-së në Komunën e Klinës, mbështetin kandidatin e PDK-së, Sokol Bashota për kryetar komune në rundin e balotazhit më 19 nëntor 2017. Kjo marrëveshje për bashkëqeverisje ka për qëllim implementimin e programit ekonomik të BD të PSHDK-së dhe AKR-së, të integruar në programin ekonomik të PDK-së, për të cilin përgjegjës është kryetari i Klinës, Sokol Bashota, që të implementojë në mandatin e ardhshëm qeverisës. Marrëveshja në mes këtyre subjekteve bëhet me qëllimin me të mirë për të realizuar projektet e përbashkëta në interes dhe shërbim të qytetarëve”, thuhet ndër të tjera në marrëveshjen e nënshkruar nga përfaqësuesit e subjekteve që kanë bëre koalicion për rundin e balotazhit.
Bashota ka thënë ndër të tjera se marrëveshja është parimore dhe nuk bazohet në ndarjen e posteve ose pazareve politike, siç ka bërë blloku tjetër opozitar, por në bashkimin e programeve të tyre në interes të qytetarit.
Sipas një komunikate të PDK-së në Klinë, Avni Gashi i AKR-së dhe Tush Dedaj i PSHDK-së, i kanë bëre thirrje elektoratit që ta mbështesin fuqishëm kandidaturën e PDK-së, kandidatin Sokol Bashota, për kryetar të Klinës, në rundin e balotazhit më 19 nëntor 2017.
AKR-ja dhe PSHDK-ja kanë fituar nga një ulëse në Kuvendin e Komunës së Klinës. Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Klinës, Sokol Bashota e ka mbështetjen edhe të Iniciativës për Progresin e Klinës.