AKR-ja do të mbështesë formimin e Qeverisë Hoti, edhe nëse nuk do të jetë pjesë e saj, kështu ka thënë për Ekonomia Online, nënkryetari i kësaj partie, Fatmir Matoshi.
Ai ka thënë se nuk do të pengohet formimi i Qeverisë. Matoshi tha se AKR-ja nuk ka marrëveshje për përfshirje në Qeverinë që po synon ta ndërtojë LDK-ja me AAK-në, Nismën dhe komunitetet joshumicë.
“AKR-ja nuk do të jetë pengesë për krijimin e qeverisë së re, ne e kemi votuar edhe qeverinë Kurti në shkurt. Ne nuk kemi ndonjë marrëveshje për të qenë pjesë e qeverisë dhe pas votimit të qeverisë do të jemi ne opozitë”.
“Kemi pasur takime e biseda me LDK-në rreth programit qeverisës, por ne nuk kemi diskutuar për pozita në Qeveri”, ka thënë Matoshi, raporton EO.
Për votimin e Qeverisë Hoti, gjatë ditëve në vijim pritet të thirret seancë në Kuvendin e Kosovës.