Këshilli Shtetëror i Cilësisë, i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, e ka aprovuar listën me ekspertët ndërkombëtarë, të cilët do ta bëjnë vlerësimin e programeve studimore të institucioneve të arsimit të lartë. Këtë vendim KSHC-ja e ka marrë të hënën.
Ditë më parë tre anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Rozafa Koliqi, Dukagjin Zeka e Arta Jakupi, u ankuan se aprovimi i listës me ekspertë ishte bllokuar nga kryetari i Këshillit, Gazmend Luboteni, nënkryetarja Vjollca Krasniqi dhe ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë, Avni Gashi, shkruan KOHA.
Të premten ata dorëzuan padi ndaj Lubotenit, Krasniqit e Gashit për veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare. Sipas kallëzimit penal, vetëm sivjet për regjistrimin e studentëve në vitin 2020/2021 janë 240 programe që duhet t’i nënshtrohen procesit të riakreditimit dhe se një gjë e tillë është vështirë e realizueshme.
Drejtori i ri i Agjencisë së Akreditimit i emëruar javë më parë, Naim Gashi, ka thënë se të hënën Këshilli e ka miratuar listën në mënyrë unanime, pa asnjë votë kundër. Ai ka bërë të ditur se aktualisht janë duke diskutuar me kryetarin e KSHC-së për mbajtjen e një mbledhjeje online lidhur me aprovimin e disa aplikacioneve, të cilat kanë mbetur për t’u shqyrtuar.