Autoritetet meksikane kanë filluar një operacion të shpëtimit, pasi një pjesë e një mbikalimi hekurudhor në kryeqytetin meksikan, Mexico City, u shemb të hënën në mbrëmje. Së paku 13 persona vdiqën dhe rreth 70 u lënduan, bënë të ditur zyrtarët e këtij vendi.
Nga pamjet e publikuara në televizionet lokale dhe në rrjetet sociale shihen vagonët e mbetur pezull. Kryetarja e qytetit, Claudia Sheinbaum, tha se një tra u shemb, duke e shkaktuar edhe shembjen e mbikalimit. Sipas saj, 34 persona janë dërguar në spital.
Puna në operacionin e shpëtimit u ndërpre për pak kohë në mesnatë, sepse vagonët e mbetur pezull mund të binin në tokë dhe u desh të merrej një vinç. Brenda trenit të aksidentuar ende ka njerëz të ngujuar, ndonëse nuk dihet se a janë të gjallë, tha kryetarja Sheinbaum.
Ajo gjithashtu njoftoi se së paku një veturë është bllokuar nën rrënoja dhe se ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar për të mbijetuar. Aksidenti ndodhi rreth orës 22 e 30 sipas kohës lokale. Kjo linjë hekurudhore ishte hapur vetëm para nëntë vjetësh, shkruan The Guardian.
Metroja e kryeqytetit meksikan është sistemi më i madh i metros në Amerikën Veriore pas rrjetit të metros në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara. Në vitin 2019, këtë rrjet transporti e shfrytëzuan 1 miliard e 655 milionë udhëtarë.